Politika Von der Leyen takon Ramën: BE, plan të ri për rritjen e...

Von der Leyen takon Ramën: BE, plan të ri për rritjen e Ballkanit Perëndimor

Mes marrëdhënieve të tensionuara në rajon, Kosovë-Serbi, që ka ndikuar jo pak në vendet fqinje, Europa ka hartuar një plan të ri ku synohet rrija dhe fuqizimi i Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i këtij plani të bërë me dije nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është afrimi i këtij rajoni sa më shumë e Bashkimin Europian.

E pikërisht ky plan ka qenë në qendër të diskutimeve të takimeve që ka pasur Ursula von der Leyen me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Bruksel. Presidentja e KE-së e ka cilësuar takimin me kreun e qeverisë shqiptare si “shumë të mirë”, ku padyshim është diskutuar edhe për integrimin e vendit në familjen e madhe europiane.

“Takimi shumë i mirë me Edi Ramën. Diskutuam për progresin në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe planin tonë të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo do të afrojë rajonin dhe BE-në dhe do të nxisë prosperitetin e partnerëve tanë”, shkruan Ursula von der Leyen.

Plani i rritjes bazohet në katër shtylla: Së pari, për ta afruar Ballkanin Perëndimor me Tregun Unik të BE-së. Së dyti, për të thelluar integrimin ekonomik rajonal. Së treti, për të përshpejtuar reformat themelore. Dhe së katërti, për të rritur fondet e para-anëtarësimit.

Prej dy ditësh kreu i qeverisë shqiptare ndodhet në Bruksel, e ndërsa një ditë më parë ka zhvilluar një takim edhe me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, në të cilin kanë diskutuar dhe për Kosovën ku kanë dalë në përfundimin se “De-përshkallëzimi i menjëhershëm i situatës në veri është domosdoshmëri për futjen në fazën finale të dialogut”.