Politika Rama për tensionet në Kosovë në konferencën me liderët e NATO-s: Nuk...

Rama për tensionet në Kosovë në konferencën me liderët e NATO-s: Nuk duam të shohim një thyerje të Ballkanit Perëndimor

Kryeministri Edi Rama ka sjellë sërish në vëmendje situatën e tensionuar në veri të Kosovës gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Holandë me liderët e disa vendeve anëtare të NATO-s.

Në konferencë të përbashkët, ku kanë mbajtur fjalën e tyre Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Kryeministri i Holandës, Belgjikës dhe Norvegjisë si dhe Presidenti i Rumanisë, Polonisë dhe Lituanisë, Rama ka sugjeruar që të diskutohet për situatën në veri të Kosovës.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se “shpresojmë që logjika të mbizotërojë dhe ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt të jetë i mundur”.

Rama ka shtuar se “ne nuk duam të shohim një thyerje të Ballkanit Perëndimor” teksa ka thënë se “duam të shikojmë që dialogu i BE-së të arrijë sukses me mbështetjen e plotë të NATO-s”.

“Frymëzuese të jesh pjesë e NATO-s në këtë kohë dhe të shohim që vullneti për të qenë me Ukrainën deri në fund është e palëkundur dhe kushdo që mund të vejë bast për shanset të ndarë NATO-n ka humbur dhe do të humbasë deri në fund.

Nuk mund të konfirmoj mbi atë që u tha për Ukrainën dhe dua të përdor kohën time për të shtuar që ne mund të diskutojmë edhe për situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor në Kosovën veriore, ku disa ditë më parë ushtarët e KFOR u lënduan dhe shpresojmë që logjika të mbizotërojë dhe ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt të jetë i mundur sepse çdo përshkallëzim mund të sjellë fund katastrofik dhe ne nuk duam të shohim një thyerje në rajonin tonë që ka bërë shumë punë të mira deri tani dhe duam të shikojmë që dialogu i BE-së të arrijë sukses dhe ne do të kemi mbështetjen e plotë të NATO-s që është përgjegjës për praninë e KFOR, si një prani kryesore për sigurinë”, tha Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryeministri holandez Mark Rutte, me qëllim koordinimin e veprimeve, bashkëorganizuan dhe një darkë pune me ketë grup të vogël udhëheqësish përpara mbledhjes së aleancës veriatlantike në format të plotë në kryeqytetin lituanez Vilnius, në datat 11-12 Korrik.

Letonia dhe Lituania bënë thirrje për një rishikim të trupave ushtarake të Aleancës përgjatë kufijve lindorë të NATO-s me Rusinëm sidomos me enklavën kufitare me to të Kaliningradit.