Aktualitet Zbardhet grabitja e 40 mijë eurove tek exchange në “Astir”

Zbardhet grabitja e 40 mijë eurove tek exchange në “Astir”

Personi që shihni në foto është Artan Tafani, autori i dyshuar i grabitjes së 40 mijë Eurove në pikën e këmbimit valutor në ‘Astir’ mëngjesin e së shtunës. 39-vjeçari rezulton se përdor dhe emrin Marius dhe sipas policisë ka qenë dhe më parë i dënuar për vjedhje.

Ndonëse për të vënë në jetë planin e grabitjes Artan Tafani është i vetëm, kjo e vërtetuar dhe nga kamerat e sigurisë së pikës së këmbimit valutor, policia ka vënë në pranga dhe një person tjetër.

Bëhet fjalë për Enio Meçajn, 35 vjeç banues në Fier. Ky i fundit dyshohet se i ka vënë në dispozicion autorit, një garazh automjetesh, ku Artan Tafani kishte fshehur biçikletën e përdorur në grabitje si dhe rrobat e krimit.

Meçaj gjithashtu ka mohuar se ka njohje me personin që e posedon garazhin, duke bërë që ai të akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës.

Gjithashtu po në të njëjtin garazh, uniformat blu kanë gjetur dhe një automjet, i cili rezultoi i vjedhur në Shkurt të 2023 në zonën e Shijakut.

Policia njofton se vijon puna për kapjen e autorit, si dhe gjetjen e shumës prej 40 mijë Eurove të grabitura në më pak se 2 minuta nën kërcënimin e një pistolete nga Artan Tafani.