Kulturë Naum Prifti- Simbol i triumfit të shpirtit njerëzor

Naum Prifti- Simbol i triumfit të shpirtit njerëzor

Rekuiem në kujtim të shkrimtarit me vlera të papërsëritshme…

Raimonda Moisiu dhe Mëhill Velaj

Para disa ditëve u nda nga jeta një prej emrave më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare, një pionier i letrave shqipe, një burrë plot virtyte, mik, koleg, baba dhe bashkëshort i devotshëm, një artdashës i çmuar dhe mjeshtër i tregimit të shkurtër, shkrimtari kolonjar Naum Prifti.

Shkrimtari Naum Prifti konsiderohet sot një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm, që i përket epokës së historisë moderne, që më shumë se çdo akt në jetën e tij të gjatë, ky njeri i madh dominoi intelektualisht dhe artistikisht, i dha aq shumë letërsisë shqipe, dhe letërsisë së Diasporës shqiptaro-amerikane, letërsisë bashkëkohore dhe kinematografisë shqiptare.

Ai u bë zëri shqiptar me vrullin intelektual dhe shkëlqimin e tij rrëfyes stilistik, që janë të dukshme në veprat e tij letrare, si; vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor, skenarë filmash, drama, komedi, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Shkrimtari Naum Prifti zotëronte një ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës, mjeshtër i rrëfimit dhe fjalës së përkorë, duke çuar më lart traditën e M.Kutelit, me evoluimin dhe bashkëkohësinë e krijimtarisë së tij.

Të gjitha veprat e Naum Priftit, përveç prirjes së tij natyrale,

ideve të artit si frymëzim shpirtëror, dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes, formimit fizik e intelektual, ëndrrat, dhe përvojat e jetës, u bënë shkak frymëzimi për të shkruar dhe shprehin më së miri të vërtetën universale të artit ekspresiv për individin e shoqërinë. Një veçanti sensuale dhe eksperimentale kjo, qëshkrimtari ndërthuri mendimin dhe ndjenjën në forma të rëndësishme filozofike dhe artistike. Kjo veçanti e të menduarit dhe të shprehurit të Priftit, rrjedh nga përkushtimi i tij, nga guximi, mençuria, krenaria, modestia, unik, dhe i pabujë, që e bënë atë një simbol të triumfit të shpirtit njerëzor. Personazhet e veprave të tij letrare janë njerës të thjeshtë, dhe Prifti diagnostifikoi dhe mëkoi me dlirësi botën shpirtërore dhe sociale të tyre, ndërsa ata ndikuan me një fuqi të magjishme plot jetë dhe vuajtje njerëzore, dhe ai nuk ngurroi, por na i rrëfeu me lirinë e një shpirti të lirë, që e shndërruan atë në Mjeshtër të Rrëfimit dhe Dialogut. Pena e Naum Priftit, këtij shkrimtari të shquar dhe i lënë padrejtësisht në hije,na ka frymëzuar dhe rritur me dashurinë për letërsinë, vepra që mbartin në vetvete dëshmi të njerëzores e shpirtërores, emocionuese dhe edukative. Vetë natyra, koha dhe liria i dhanë mundësinë, Naum Priftit, këtij njeriu të madh me vlera të papërsëritshme qytetarie e krijuese të letrave shqipe, të ngrejë dhe ringrejë qindra herë strukturën e memorialit të krenarisë, gjuhës, të idealeve e virtyteve të kombit, edhe si pjesë e kulturës amerikane.

Në veprat e shkrimtarit Naum Prifti, që në pamje të parë bie në sy gjalëria e integritetit individual e kontributit dimensional krijues, kontribut që të bën të përfytyrosh si kanë qenë ëndrrat e tij, plot sfida e dhimbje, sakrifica e arritje, përkushtimin pakompromis jo vetëm për të pasqyruar dhe rrëfyer jetën, por edhe për t’i dhënë frymë dhe formësuar shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore, situatave social-historike të shprehura përmes artit të të shkruarit. Teksa shkruajmë këtë rekuiem ndjejmë një emocion të vecantë për këtë tregimtar terrifik, personalitet i letrave shqipe dhe kulturës shqiptaro-amerikane, për këtë kolonjar të shquar, bashkëqytetar i drejtpërdrejtë i kolonjarit tjetër, Noli të Madh, jo vetëm sepse me tregimet, skenarët e filmave, dhe rrëfimet e tij i kemi lexuar që në fëmijërinë tonë, në librat e shkollës, si një shkrimtar i letërsisë për fëmijë, por edhe më pas, eruducioni i tij si shkrimtar dhe intelektual, kur u njohëm më nga afër me shkrimtarin e shquar në eventet kulturore, letraro-artistike që zhvillonte Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në metropolin e Neë Yorku-t të Amerikës së largët, ai me statutin e Kryetarit dhe ne kolegë dhe anëtarë të saj, një miqësi dhe bashkëpunim që vazhdoi deri në fund të jetës së tij. Unë më pas u bëra një vëzhguese e krijimtarisë së tij letrare, deri edhe në intervistimin e këtij njeriu të shquar të letrave shqipe.

Origjina, shkollimi dhe fillesa në udhëtimin e gjatë krijues

Naum Prifti lindi më 7mars 1932, në fshatin Rehovë të Kolonjës, një fshat që dëshmon arsimdashës dhe kulturë të herëshme, qytetërim të vecantë, dhe konsiderohet si një perlë tradicionale dhe historike me atë arkitekturën e veçantë, natyrën emrekullueshme, me lëndina dhe lule të egra, ku secila prej tyre mbart ngjyra dhe aromë të veçantë.Fshati Rehovë njihet ndjeshëm për bibliotekat e para modeste të ngritura nga njerëzit e thjeshtë, intelektualët arsimdashës, dhe adhuruesit e dashamirës të librit.Nga Rehova kanë dalë personalitete të spikatura të artit, kulturës, shkencësdhe historisë. Një ndër personalitet më të shquara të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, është eruditi Prof. Peter R. Prifti (vëllai i N.P), i cili çmohet nga bota shqiptare si një patriot, dijetar i shquar, historian, politolog, gjuhëtar, përkthyes dhe letrar.

Pikëtakimet e para me librin i ka pasur në rininë e tij të hershme, kur i bie në dorë libri “Shkrimtarët Shqiptarë” (pjesa I), një antologji e mrekullueshme hartuar nga Ernest Koliqi, Namik Resuli, Filip Fishta me jetëshkrime shkrimtarësh dhe copa të zgjedhura. Më pas, gjimnazisti i apasionuar pas librave nga Rehova e Kolonjës, u mahnit kur i ra në dorë romani i M. Zevacco-s , “Ura e Psherëtimave,” dhe pastaj me radhë “Bija e Mallkuar,” “Zonja me Kamelie,”e A. Dumas, etj., dhe sa herë vinte në Korçë pas lufte gjithmonë blinte libra, kryesisht romane të përkthyera. Krijimi i parë artistik i Priftit, Mjeshtrit të tregimit të shkurtër, ka qenë një vjershë humoristike e ngjashme me bejtet popullore, të ciën e ka shkruar kur ishte vecse 12 vjec. Atë ua recitoi shokëve të tij dhe më pas dhe disa partizanëve, midis të ciëve ndodhej edhe kushëriri i tij Pali Prifti, njeri me shkollë, që më vonë ra dëshmor në Luftën Nac.Cli. Shokët dhe ai e përgëzuan, madje shprehën edhe habinë që Naumi 12-vjeçar e kishte krijuar vetë atë. Ndërkohë ky gjimnazist pasionant vazhdoi të shkruante vjersha humoristike në frymën e KAPA- Kristaq Cepës, dhe t’i i botonte ato, në gazetën e murit të shkolës unike Ersekë në vitet 1946-48. Krahas vjershave humoristike Naum Prifti nisi të shkruante tregime dhe tregimin e parë “Lapidari” bazuar te një ngjarje e vërtetë ndodhur në fshatin e tij, Rehovë, u botua te gazeta “Letrari i Ri” më 15 maj 1950.

Pasionin për të shkruar dhe hedhur në letër, përvojat jetësore, dhe ngjarje reale, filloi t’i perfeksiononte duke botuar tregime në organet periodike, revista “Nëndori,” gazeta “Rinia” të cilat më vonë i përmblodhi te vëllimi

Libri i tij iparë i rëndësishme është “Tregime të Fshatit, i cili u botua më 1956-ë nga Sh. Botuese “Naim Frashëri”, libër që nuk kaloi pa ënë gjurmë, por u prit shumë mirë nga kritika e kohës dhe do të printe një sukses të pandërprerë, libër pas libri të shkrimtarit Naum Prifti. Libri i parë me tregime mori vlerësime nga shokë e shkrimtarë që i përkasin gjeneratës së artë të shkrimtarëve, sikundër kritiku Mark Gurakuqi dhe Razi Brahimi.

Por vëllimi që pati me tepër sukses dhe do ta bënte të njohur ndër rrethet letrare, qe “Çezma e Floririt,” (1960). Ky vëllim ra në sy për frymën lirike dhe vërtetësinë e ngjarjeve, ndryshe nga letërsia descriptive dhe skematike e viteve të para të pasluftës.

Në adoleshencë, Prifti ishte kureshtar të lexonte çdo gjë të shkruar edhe një copë letër të gjente në tokë, do ta merrte në dorë dhe ta lexonte. Ndaj edhe u mrekullua kur lexoi me kërshëri një tregim të Sterjo Spases te vëllimi “Nusja pa duvak”. Mbeti i çuditur se aty mësoi që mund të bëhej letërsi edhe me jetën e njerëzve të thjeshtë, me zjarrishtën, postiqet, pagurin me raki, andajiu krijua ideja se vetëm për të tilla gjëra ia vlente të shkruhej. Mjeshtëri i tregimit, Naum Prifti kishte një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethonin, dhe kjo e bëri që ka pasur arritje dhe suksese në udhëtimin e gjatë krijues të tij deri në fund të jetës. I vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje, mund të thuhet se Prifti ka qenë një tregimtar i lindur. Edhe pse ka shkruar në gjini të tjera, tregimi do të ishte gjinia e tij e preferuar. Shpesh dashamirët dhe adhuruesit e tregimit të tij, e quanin Çehovi shqiptar dhe kjo natyrisht i përkëdhelte sedrën dhe inkurajonte të shkruante vazhdimisht. Naum Prifti krijonte karaktere realiste bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën frymëzuese e krijuese të elitës së shquar të paraardhësve dhe bashkëkohasve të tij, të letrave shqipe, sikundër; Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Safete Juka, Peter R.Prifti, Jakov Xoxe, Kico Blushi, Qamil Buxheli, Dhimitër Xhuvani, Sotir Andoni, Ismail Kadare, Vath Koreshin, Gazmend Kongoli, Nasho Jorgaqi, Petraq Kolevica, Vangjush Ziko, Petraq Zoto, Albana Lifschin, Fatos Kongoli, etj., të cilët ngritën nivelin e tregimit shqiptar, dhe ndihmuan që gjinia të çmohej si e meritonte duke kultivuar shije të lakmueshme estetike. E vërteta jetësore rralë qëllon të përkojë plotësisht me të vërtetën artistike. Një kritik rus pohon se të gjesh në jetë një subjekt të gatshëm, kjo është njëlloj si të gjesh në natyrë flori të pastër, të papërzierë me skorie. Megjithatë jeta disa herë tregohet bujare, dhe rastis të gjesh subjekte të plotë, personazhe që s’ke nevojë t’u bësh makijazh, pra t’u shtosh a t’u heqësh diçka. Një personazh të tillë Naum Prifti e gjeti në Divjakë kur u njoh me Vasil Shoren, protagonistin e tregimit “Njeriu që ndiqte kuajt,” Vlash Zakën.

Naum Prifti ishte një punëtor i palodhur i penës. Për këtë flet e gjithë krijimtaria e tij cilësore, me numrin më të madh të botimeve, si asnjë krijues tjetër në Shqipëri, një trashëgimi e pasur për brezat e ardhshëm.

Familja humbi njeriun e saj të dashur, letërsia shqipe humbi një figurë të shquar të saj, gjuha shqipe humbi një mjeshtër të dashuruar marrëzisht pas saj.

Prehu në PAQE, miku dhe kolegu ynë!

Të qoftë dheu i lehtë, mik i shtrenjtë!!

I përjetshëm kujtimi dhe drita e e veprave që la pas, Naum Prifti shkrimtari simboli i triumfit të shpirtit njerëzor.

Biografia dhe veprat e shkrimtarit të shquar, Naum Prifti

Naum Prifti u lind në Rehovë të Kolonjës, në 7 Mars 1932 ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes. Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Neë York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot.Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash. Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, Neë York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”. Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.Tregimi, “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet anëtar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.

*Raimonda MOISIU, Author Freelancer, Ish/Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

*Mëhill Velaj, Poet/Shkrimtar, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Qershor 2023, USA