Thashetheme për një spastrim, ndryshime të mundshme komanduese, tensione: këto janë pasgoditjet pas kryengritjes së Wagner-it.
Fati i Sergei Surovikin mbetet i pasigurt. Sipas gazetës “Moscow Times”, ai është arrestuar, duke cituar burime anonime të ministrisë së Mbrojtjes. Për më tepër, familja ka humbur kontaktet me të dhe eskortën e tij për më shumë se tre ditë.
Teza, e bazuar në lajmet që vijnë nga Moska dhe inteligjenca amerikane, tregon për një Surovikin në telashe.
Si përmbledhje: ai ka qenë gjithmonë në marrëdhënie të mira me Prigozhinin, e dinte paraprakisht për kryengritjen, ndoshta ishte pjesë e operacionit. Ka shumë spekulime për videon që ai ka regjistruar gjatë orëve dramatike të Rostovit.
Për disa, e kanë detyruar, nënvizojnë se ka veshur uniformë pa grada (por mund të jetë një masë e thjeshtë paraprake), thonë se ka diçka “të çuditshme”. Ndjesi dhe jo siguri.
Mirëpo, që nga dita e djeshme ka pasur shumë informacione – të pakonfirmuara – për arrestimin, me një transferim të mundshëm në burgun e Lefortovës.
Rrethana e fundit e mohuar nga burime të tjera. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit i hodhi poshtë burimet amerikane si thashetheme.
“Baleti” ushqehet nga ata që duan të përfitojnë për të rritur konfuzionin dhe nga vështirësia objektive për të pasur një pamje lineare. Siç thoshte gjithmonë një ish-agjent sekret: “Ata nuk gënjejnë, thonë atë që mendojnë se është e vërtetë”.
Fronti tjetër ka të bëjë me hierarkinë e mbrojtjes, me disa oficerë të liruar nga detyra, ndërsa shërbimet e sigurisë hetonin për të verifikuar besnikërinë e personelit në fazën kritike.
Blogerët ushtarakë rusë pretendojnë se gjenerali Mikhail Teplinsky, ka marrë komandën e operacioneve në Ukrainë, një shenjë e mëtejshme e ndryshimeve vendimtare për të rimarrë kontrollin. Por edhe ky informacion është ende i përgjithshëm, kërkon vërtetime.
Në fund, Evgeny Prigozhin. Mbi protagonistin kryesor ka një sërë “duket”: ai do të ishte ende duke negociuar; madje do të udhëtonte për në Shën Petersburg; askush nuk ka një ide të saktë se sa mercenarë janë gati të shpërngulen në Bjellorusi.
Flitet për tetë mijë burra që do të mirëpriteshin në një bazë në ndërtim, por tani për tani vetëm një mijë kanë pranuar.
Fotot satelitore treguan instalimet që po kryheshin në vendndodhjen ushtarake Asipovichy, rreth 80 milje nga Minsku.
Gazeta “Wall Street Journal”, shkroi të mërkurën se lideri i Wagner-it dështoi, sepse u detyrua të vepronte shpejt, kundërshtarët e tij zbuluan qëllimet e tij dhe ai nuk mundi të fuste ministrin e Mbrojtjes Shoigu dhe shefin e Shtabit Gerasimov në një kurth.
Sipas gazetës, përgjimet, survejimet dhe spiunët, kanë lejuar si amerikanët, ashtu edhe rusët, të “dinë” më shumë. Analistët që kanë ndjekur Rusinë prej vitesh, po luftojnë për t’i bashkuar pjesët.
Një pjesë ka treguar skepticizëm për rënien totale të Surovikin nga hiri, një tjetër është e kujdesshme dhe, edhe duke marrë parasysh fazën kritike, beson se një pjesë e thashethemeve janë një përpjekje e SHBA-ve për të diskredituar një oficer të vlefshëm.
Një taktikë për të rritur paranojën e regjimit, gjithmonë në gjueti të “tradhtarëve”. Çdo hipotezë ka një ose dy variante, me referencën e pashmangshme të “manipulimit”, maskimit dhe mashtrimit. Ashtu si me histori të tjera, duhet kohë për të deshifruar dinamikën.