Politika Albin Kurti publikon 8 pikat që thotë se ç’tensionojnë situatën në veri

Albin Kurti publikon 8 pikat që thotë se ç’tensionojnë situatën në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë publike tetë pika për të cilat siç thotë ai çojnë në de-eskalim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Kurti tha se këto pika ia ka propozuar kryediplomatit të Bashkimit Evropian Josep Borrell, javën e kaluar kur ky i fundit sipas tij propozonte një ‘tryezë për hapa de-eskalimi’ të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Pika e parë sipas kryeministrit Kurti nënkupton se Kosova është e gatshme ta bëjë është “reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre”, por kjo sipas tij bëhet vetëm nëse reduktohet dhuna në atë pjesë.

Pika tjetër përfshin qasje të plotë në proceset gjyqësore, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut.

Pika tjetër përfshin zgjedhje të parakohshme përmes peticionit për tërheqje të kryetarëve aktualë i cili duhet të përkrahet nga të paktën 20% të elektoratit në atë pjesë dhe pika e fundit përfshin dorëzimin e autoritetit nga kryetarët aktual të kryetarët e rinj, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Kurti ka thënë se nga Serbia pritet po ashtu që të bëjë tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale, të zotohet për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të shkaktarëve të dhunës gjatë protestave në veri.

Më tej Kurti, tha se Serbia duhet të reduktojë gatishmërinë e forcave të armatosura si dhe të “mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”.

“Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Kurti.

Të enjten, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.

“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë i ka rritur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe. Tash e një muaj, banorët lokalë atje kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 Prillit.

Protestat e tyre janë përshkallëzuar edhe në përleshje të dhunshme mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR. Ka pasur po ashtu disa raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera në atë zonë./REL