Presidenti Emmanuel Macron u përpoq të kontrollonte një krizë në rritje të enjten pas trazirave të përhapura në të gjithë Francën, si pasojë e të shtënave vdekjeprurëse nga policia ndaj një adoleshenti me origjinë afrikano-verior në periferi të Parisit.
Policia kreu 180 arrestime gjatë natës së dytë të trazirave, tha ministri i Brendshëm Gerald Darmanin, pasi zemërimi publik u derdh në rrugë në të gjithë vendin.
Macron zhvilloi një takim me ministra të nivelit të lartë për të shtënat dhe njoftoi më pas se 40 mijë policë do të dislokohen në të gjithë vendin, duke përfshirë 5,000 të tillë vetëm në rajonin e Parisit, të enjten në mbrëmje me qëllim dhënien fund të trazirave.
Ky është gati katërfishi i numrave që u mobilizuan mbrëmjen e së mërkurës.
“Përgjigja e shtetit duhet të jetë jashtëzakonisht e prerë”, tha Darmanin.
Si Darmanin ashtu edhe kryeministrja Elisabeth Borne përjashtuan mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për momentin.
Incidenti ka ushqyer ankesa të gjata për dhunën policore dhe racizmin sistemik brenda agjencive të zbatimit të ligjit nga grupet e të drejtave të njeriut
Të shtënat me armë ndaj 17-vjeçarit, i identifikuar si Nahel, kanë ndodhur në Nanterre, në periferinë perëndimore të Parisit.
Prokurori vendas tha se magjistratët hetues e kishin vënë oficerin nën hetim zyrtar për vrasje vullnetare.
Sipas sistemit ligjor të Francës, vendosja nën hetim zyrtar është e ngjashme me akuzën në juridiksionet anglo-saksone.
“Në bazë të provave të mbledhura, prokurori publik konsideron se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës”, tha në një konferencë për media prokurori Pascal Prache.
Macron tha të mërkurën se të shtënat ishin të pafalshme. Ndërsa thirri mbledhjen, ai dënoi në të njëjtën kohë edhe trazirat.
“Orët e fundit janë shënuar skena dhune ndaj komisariateve të policisë, por edhe ndaj shkollave dhe bashkive dhe këto skena janë krejtësisht të pajustifikueshme”, tha Macron teksa hapi mbledhjen e thirrur urgjentisht.
Një video e shpërndarë në mediat sociale, e verifikuar nga Reuters, tregon dy oficerë policie pranë një makine Mercedes AMG, me njërin që gjuan në drejtim të shoferit adoleshent nga një distancë e afërt dhe tjetri që largohet.
Ai vdiq pak më vonë nga plagët e marra, tha prokurori vendas.
Adoleshenti, i cili ishte shumë i ri për të mbajtur një patentë në Francë, po drejtonte automjetin ilegalisht, tha një burim i njohur me hetimin.
Prokurori i Nanterre tha se ai ishte i njohur gjithashtu për policinë. Prokurorët thanë se djali nuk iu bind urdhrave të oficerëve të martën.
Rreth 2,000 policë u shpërndanë në të gjithë rajonin e Parisit mbrëmë. Në Nanterre, një grumbull automjetesh të përmbysura u dogjën ndërsa protestuesit mbushën linjat e policisë me fishekzjarre.
Policia gjithashtu u përlesh me protestuesit në qytetin verior të Lille dhe në Toulouse në jugperëndim, dhe pati trazira në Amiens, Dijon si dhe në rrethe të shumta në të gjithë rajonin e madh të Parisit, thanë autoritetet.
Trazirat kanë ringjallur kujtimet e trazirave të vitit 2005 që tronditën Francën për tre javë dhe detyruan presidentin e atëhershëm Zhak Shirak të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.
Kjo valë dhune shpërtheu në periferinë e Parisit, Clichy-sous-Bois dhe u përhap në të gjithë vendin pas vdekjes së dy të rinjve të goditur nga rryma në një nënstacion të energjisë elektrike, ndërsa fshiheshin nga policia.
Dy oficerë u shpallën të pafajshëm në një gjyq dhjetë vjet më vonë.
Vrasja e së martës ishte rasti e tretë fatal gjatë ndalimeve në Francë deri më tani në 2023, nga një rekord 13 vitin e kaluar, tha një zëdhënës i policisë kombëtare.
Ka pasur tre vrasje të tilla në vitin 2021 dhe dy në vitin 2020, sipas një raporti të Reuters, i cili tregon se shumica e viktimave që nga viti 2017 ishin me ngjyrë ose me origjinë arabe.