Aktualitet Mbyllen nga 3 Korriku sportelet e Kadastrës: Gjithçka online me nënshkrim dhe...

Mbyllen nga 3 Korriku sportelet e Kadastrës: Gjithçka online me nënshkrim dhe vulë elektronike

Revolucion Digjital në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, (ASHK). Nga e hëna, datë 3 Korrik, mbyllen sportelet e Kadastrës dhe siç njofton Kryeministria mbaron “regjimi 30-vjeçar i letrave, vulave, shefave”.

Në prezantimin e kësaj reforme këtë të premte u bë e ditur se gjithçka do të jetë online me nënshkrim e me vulë elektronike.

“Praktika, “të paguash për të marrë shërbimin apo të shërbesh duke u paguar”, do të arkivohet si pjesë e historisë së dhimbshme të së shkuarës”, njoftoi Kryeministria.

Drejtoresha e Kadastrës, Dallëndyshe Bici tregoi se si do të funksionojë arkiva dixhitale e ASHK-së. Ajo theksoi se synimi është që të kalohet nga dixhitalizimi 2D në atë 3D.

“Arkiva dixhitale brenda pak muajsh do të ruhet me sistemin block chain dhe funksionimi do të jetë vetëm nëpërmjet e-Albania. Në 3 javët e para kemi bërë një ndërmarrje, me marrjen e vulave të njoma nga drejtoritë vendore. Brenda institucionit, dy tavolina përballë njëri-tjetrit nxirrnin dokumente që kundërshtonin me vulë zyrtare njëri-tjetrin. Qytetarët kishin të drejtë të na mallkonin. Si mund të eliminonim një sistem agallarësh që funksionon si vilajete, zyrtarë që pronat e shqiptarëve i shikonin si të babës. Përzgjedhja rastësore nëpërmjet një programi që nuk njeh qytetar, nuk njeh qytet, nuk njeh zyrtar. Synimi është të kalojmë nga dixhitalizmi 2D në atë 3D”, u shpreh Bici.

Të pranishëm në prezantimin e reformës ishin Kryeministri Edi Rama, ministra, deputetë socialistë dhe kryebashkiakë.