Kryesore “Do t’i japim mirëseardhje shqiptare”, Rama jep detajet e vizitës së Clinton...

“Do t’i japim mirëseardhje shqiptare”, Rama jep detajet e vizitës së Clinton në Tiranë

Clinton, Rama dhe Thaçi

Kryeministri Edi Rama ka treguar për Euronews Albania detaje nga vizita që ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton do të zhvillojë në datën 3 korrik në Tiranë.

“Do t’i bëjmë një mirëseardhje shqiptare, do t’i japim mundësinë të njohë pak nga Tirana. Do të kemi një event publik përpara Kryeministrisë në mbrëmjen e datës 3 në orën 19:00. Ai do të flasë do të mbajë një fjalë përpara qeverisë, pastaj do të dalë nga aty dhe do të kemi shumë të ftuar”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se ardhja e ish-presidentit është mbajtur sekret vetëm për shkak të ndryshimit të agjendës së Bill Clinton.

“Unë e kam ftuar presidentin Clinton prej disa kohësh, kjo është një vizitë e planifikuar dhe e parashikuar prej disa kohësh, të cilën e kemi mbajtur sekret vetëm për ndonjë arsye të ndonjë befasie që mund të ishte agjenda e Presidentit amerikan dhe takimi është një takim për ta bërë të mundur prezantimin me Shqipërinë të Presidentin Clinton”, tha kryeministri.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se ftesa për të vizituar vendin tonë i është bërë disa vite me parë, por vetëm se fundi janë krijuar mundësitë për realizimin e saj.

“Ai ka qenë në Kosovë, ai e njeh Kosovën, por ai nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri, ndërkohë që për shqiptarët ai dhe familja e tij kanë një respekt dhe një ndjenjë afeksioni të jashtëzakonshme, gjë që e kam thënë dikur, e kemi provuar kur kemi qenë të ftuar në një nga samitet e ‘Clinton Global Initiative’ në Nju Jork. Aty kishte rreth 2 mijë vetë që ishin nga bota e biznesit, nga bota e medias, shoqëria civile dhe në tryezën kryesore ishin të ulur; Bill Clinton, Hillary Clinton, Hashim Thaçi, i ndjeri Bujar Nishani dhe unë. Pra, ishte respekti për Shqipërinë, për shqiptarët që na vuri ne në tavolinën kryesore megjithëse aty kishte president dhe kryeministra të tjerë familja Clinton ishte ulur me ne. Që atëherë i kam thënë Presidentit që duhet të vijë të vizitojë dhe Shqipërinë. Kemi pasur kontakte me Zonjën e Parë, kemi një marrëdhënie miqësore dhe më në fund janë krijuar kushtet që presidenti do të vijë”, përfundoi Rama.