Nga Jurgis Çyrbja*
“Incluso su firma es una obra de arte”. (Edhe firma e tij është vepër arti.) tha Pablo Picasso për Ibrahim Kodrën, piktorin më të rëndësishëm shqiptar të njohur ndërkombëtarisht.
Ibrahim Kodra lindi më 22 prill, 1918, në Ishëm, qarkun e Durrësit, ku sot është edhe vendi i tij i prehjes. Artisti me famë botërore, krenaria e kombit tonë na la pas rreth 6 mijë vepra si një trashëgimi e jashtëzakonshme jo vetëm për artin shqiptar, por edhe artin botëror, pasi figura e tij emblematike konsiderohet ndër më të rëndësishmit në artin e shekullit të 20-të.
Ibrahim Kodra ekspozoi veprat e tij anembanë botës, në galeritë më prestigjioze, përkrah gjigantëve të artit, si Pablo Picasso, Henri Mattise, Marc Chagall, Amedeo Modigliani, Salvador Dali, Georges Braque, e shumë kolosë të tjerë të artit, me të cilët nuk ishte vetëm bashkudhëtar në rrugëtimin artistik por kishte edhe miqësi të ngushtë dhe me ndikim.
Ibrahim Kodra ishte një post-kubist, në formimin artistik të së cilit, pati shumë ndikim kubizmi i Pablo Picasso, sidomos pas miqësisë së ngushtë që lindi mes tyre në Romë në vitin 1948. Gazeta të kohës shkruanin për Picasso bashkë me Kodrën, duke e konsideruar shqiptarin si “postkubisti i fundit në Evropë.”
Por, arti i Kodrës ndryshonte në natyrë dhe emocion nga kubizmi tipik i figurave që e themeluan këtë stil arti, të cilët fokusoheshin më shumë në tre dimensionalen dhe thellimin e perspektivës lineare e atmosferike dhe natyrën e brendshme njerëzore. Kodra e përdori kubizmin si stil bashkëkohor të ndërthurur me natyrën, traditën, ngjyrat dhe emocionet shqiptare.
Te veprat e tij dallohen qartë kostumet dhe veshjet shqiptare, natyra karakterizuese e popullit të tij, e madje edhe peizazhet, qoftë tablo të tëra apo edhe në sfond ngjasojnë me vendlindjen e tij, Ishmin, bregun tjetër të Adriatikut, nga Italia ku ai jetonte.
Ndaj edhe Picasso e quante ushqim për shpirtin miqësinë që ai kishte me Kodrën. “Shqiptari im” i referohej Picasso gjatë bisedave të tyre të gjata. Të gjithë artistët e mëdhenj të kohës, gjatë bisedave me Kodrën përpiqeshin ta njihnin e ta imagjinonin Shqipërinë e tij, përmes bisedave të Kodrës, e padyshim përmes elementëve folklorik që gjendeshin në telajot e Kodrës, të cilat ishin edhe ilustrime të kujtimeve të fëmijërisë në Ishëm dhe mallit për Shqipërinë e tij.
Përmes artit të tij, Ibrahim Kodra u bë ambasadori i denjë i Shqipërisë në botë, pasi tablotë e tij gjenden në dhomat e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve (Parlamenti Italian) në galeri e muze të njohur, dhe koleksione private në të gjithë skajet e botës.
Poeti i madh francez, Paul Eluard, në faqet e “Unité” në vitin 1946 e quajti Kodrën “primitivi i një civilizimi të ri,” dhe me primitiv nënkuptonte art të kulluar në një botë të re e moderne. Primitivizmi që ai pikasi herët përmes stilit modern, apo mënyrën ekspresioniste të të menduarit dhe të jetuarit, nuk ishte gjë tjetër veç një primitivizëm që vinte nga rrënjët e tij, nga vendlindja e tij Ishmi.
Origjina nga një vend mesdhetar, me bregdet e terren porsi një tavernë e Adriatikut, por me kulturë unike, thuajse një botë e re në vetvete, ishte shtysa dhe burimi nga ku rridhte një element i ri artistik që manifestohej një formë e re krijuese, ndaj edhe Eluard e vlerësoi duke shtuar se “Ibrahim Kodra është babai i një qytetërimi të ri botëror.”
Kodra arriti ta vizitonte Shqipërinë në vitin 1973 e më pas në vitin 1996, 1997, 2003, e për t’u kthyer përgjithmonë, sipas amanetit që la, për t’u prehur në varrin tij, në Ishëm, në vendin që e deshi aq shumë.
Sot njësia Administrative e Ishmit, përveçse një mrekulli natyrore e historike, me peizazhe dhe plazhe përrallore, me vlera të jashtëzakonshme historike dhe shpirtërore, si Bazilika dhe Kalaja e Gjuricaj, Kepi i Rodonit, etj, është edhe vendi i prehjes së artistit tonë të madh, i cili edhe sot thërret për një pelegrinazh artistik e frymëzues artistë bashkëkohorë të huaj e shqiptarë.
Pak kohë më parë u takova me artistin bashkëkohor, Agron Hoti, i konfirmuar ndërkombëtarisht në qarqet krijuese me ekspozita në Nju Jork, Paris, Shangai, Kazablanca dhe Tel Aviv, me të cilin, teksa vizituam varrin e mjeshtrit të madh Ibrahim Kodra, diskutuam mbi idenë e realizimit të një ekspozitë me veprat e Kodrës, pranë vendit ku prehet në paqen e përjetshme.
Kjo do t’i jepte edhe më shumë vlera zonës përsa i përket njohjes së Kodrës nga brezat e ri, por edhe vetë Ishmit atë vend që meriton në histori e art, duke lartësuar veprat e figurave që bënë historinë, e në veçanti Ibrahim Kodrës, figurës madhështore të artit botërore i cili vazhdon dhe na bën krenar si komb e si shqiptarë përmes emrit dhe veprave të tij që na la si trashëgimi.
*Deputet i PS i qarkut të Durrësit