Kreu i SPAK, Altin Dumani raportoi në Parlament ku prezantoi raportin vjetor të punës së Prokurorisë së Posaçme.
Në fjalën e tij në Kuvend, Dumani evidentoi se ka një rritje të procedimeve penale për të cilat nisin hetimet kryesisht.
Po kështu, theksoi kreu i SPAK, janë përdorur edhe metoda proaktive të hetimit, të tilla si përgjimet, që më së shumti është aplikuar në veprat penale të korrupsionit.
“Ka një rritje të regjistrimit të procedimeve penale kryesisht dhe më konkretisht janë regjistruar 28 procedime penale me 34 persona nën hetim, krahasuar kjo me vitin 2021 në të cilin janë regjistruar 18 procedime penale me 9 persona në hetim. Ka një rritje gjithashtu nga viti 2021 të përdorimit të hetimeve proaktive në 122 procedime penale ku janë interceptuar 2177 pajisje fundore. Pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 69 procedime penale ku janë interceptuar 10,023 pajisje fundore. Ndërkohë për çështjet penale të hetuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal janë përdorur metoda të posaçme hetimore në 53 procedime penale dhe janë interceptuar 1154 pajisje fundore. Kur bëhet fjalë për metoda speciale të hetimit vlen të theksohet se janë përdorur simulimi i aktit korruptiv, dorëzimi i kontrolluar apo dhe agjenti i infiltruar”, deklaroi drejtuesi i SPAK.
Dumani: Problematika e SPAK, numri i madh i procedimeve të mbartura
Gjatë fjalës së tij, Dumani ka evidentuar problematikat e SPAK, ku ka theksuar numrin e lartë të procedimeve të mbartura, teksa ka thënë se kësaj çështje i duhet dhënë menjëherë zgjidhje.
“Problematikat e SPAK – më e madhe është numri i madh i procedimeve të mbartura dhe ngelet që ky vit, që nga fillimi dhe në 6 muajt në vazhdim, prokurorët të merren me çështjet e mbartura, duhet patjetër që t’i japim zgjidhje kësaj problematike.
Kemi vuajtur mungesën e infrastrukturës. 3, 4 ose më shumë hetues në një zyrë dhe në pamundësi për të ushtruar funksionet e institucioneve. Me vendim të Këshillit të Ministrave, SPAK ka marrë në pronësi një godinë që është pranë godinës dhe përmbush funksionet e SPAK. Kjo mund të quhet problematikë e zgjidhur.
Mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka vënë në vështirësi hetimet. Nuk kemi as edhe një të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Statusi financiar jo i kënaqshëm i ekspertëve të provave digjitale. Ne kemi një laborator, kemi rekrutuar 3 ekspertë, por trajtimi i tyre financiar lë për të dëshiruar dhe kemi frikë që mund të na largohen”, tha Dumani.