Një sondazh i publikuar të hënën tregon se njerëzit në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, kanë nivelin më të ulët të besimit tek qeveritë e tyre, krahasuar me vendet e tjera të grupit të shtatë vendeve më të zhvilluara të botës.
Sipas organizatës ‘Gallup’, në vitin 2022, 31 për qind e njerëzve në moshë madhore në Shtetet e Bashkuara kishin besim tek qeveria e tyre, ndërsa në Britani kjo shifër ishte në nivelin 33 për qind.
Gjermania është në krye të listës së shtatë vendeve më të zhvilluara në botë, me 61 për qind të banorëve të saj që shprehin mbështetje për qeverinë e tyre.
Pozicionet e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë ishin shumë të ndryshme në vitin 2022 krahasuar me 2006-n, tha kompania ‘Gallup’.
Në të njëjtin sondazh në 2006, Shtetet e Bashkuara ishin në krye të renditjes, me 56 për qind të anketuarve që ishin përgjigjur po, pyetjes nëse kishin besim tek qeveria e tyre. Për Britaninë, në atë kohë kjo shifër ishte 49 për qind.
Gjermania ishte në vendin e fundit në sondazhin e vitit 2006. Mes viteve 2006 dhe 2022, anëtarët e mbetur të G7, Japonia, Italia, Franca dhe Kanadaja shënuan një përmirësim të nivelit të besimit të qytetarëve të tyre tek qeveria.
Shifra e vitit 2022 nuk është një rast i ekstrem për Shtetet e Bashkuara. Të dhënat e kompanisë ‘Gallup’ tregojnë vetëm një vit përveç vitit 2006, në të cilin besimi në qeveri në mesin e amerikanëve të moshës madhore arriti në 50 për qind, në 2009, dhe 46 për qind në 2020.
Besimi i qytetarëve amerikanë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara ka shënuar ulje në vitet e fundit, duke përfshirë 31 për qind në 2018, 30 për qind në 2016 dhe 29 për qind në 2013.