Ekonomi Çfarë kanë zbuluar satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”?  Balluku bën bilancin...

Çfarë kanë zbuluar satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”?  Balluku bën bilancin e 6 muajve të parë

“Albania 1” dhe “Albania 2”, dy satelitët e dërguar në hapësirë kanë arritur të mbulojnë me imazheri 47 për qind të territorit shqiptar gjatë gjashtë muajve të kaluar.

Satelitët do të përdoren për monitorimin e përmbytjeve, zjarreve, tërmeteve si dhe llogaritjen e dëmeve, tha sot zëvendës/kryeministrja Belinda Balluku, në një konferencë me praninë e disa ekspertëve për Shërbimin Satelitor.

“Realizimi i shërbimit satelitor është një tjetër sfidë, me të cilën jemi përballur me dëshirën më të madhe. Sot është një realitet dhe Shqipëria do të përfitojë maksimalisht, për të mbledhur informacion për tokën, ujin, nëntokën, ajrin, detit, çdo informacion që është me vlerë për të gjithë sektorët.

Jemi bërë vendi i dytë në rajon pas Sllovenisë, që kemi satelitë. Shërbimi satelitor do t’i mundësojë qeverisë autoritet të plotë menaxhimi”, tha Balluku.

“Me kostelacionin e dedikuar satelitor, Shqipëria bëhet pjesë e ekonomisë së re të hapësirës, duke zhvilluar përfshirjen e saj në komunitetin hapësinor, mes shfrytëzimit të fuqisë së imazheve satelitore me rezolucion të lartë, të cilat mundësojnë realizimin e ambicieve tona si vend anëtar i NATO-s”, theksoi më tej Balluku.

Një ekip ekspertësh ka nisur trajnimin për përdorimin e të dhënave dhe imazheve nga satelitëve, tha më tej ministrja e Infrastrukturës.

Megjithatë, moti i pafavorshëm ka vështirësuar marrjet e imazheve nga dy satelitët.

Disa nga ekspertët e shërbimeve kryesore të mbrojtjes kombëtare civile, në det e terren kanë theksuar sot dobinë e imazheve satelitore ku ndihmon në monitorim duke kursyer kohë, kosto dhe kapacitete njerëzore.

“Dy satelitët e Shqipërisë në hapësirë, sollën pamje të dëmeve nga zjarri në Ishullin e Sazanit

Përmbytja në qarkun e Shkodrës nëntor të 2022 nga reshjet e shumta. Siç dihet Buna është një prej lumenjve ka predispozitë më të lartë për të shkaktuar përmbytje. Shërbimet satelitore na kanë ndihmuar për të parë sasinë e përmbytjes, dhe imazhet kanë shërbyer për të gjetur gjërat faktike nga terreni.

Imazhet satelitore janë një mjet mjaft efektiv për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile”, tha drejtoresha e Agjencisë kombëtare të Mbrojtjes Civile.