Ilir Boçka, diplomati i karrierës i cili aktualisht është ambasador në Beograd, ka përfituar gradën personale “Ambasador” nga presidenti Ilir Meta.
Emri i Ilir Boçkës, për të përfituar këtë gradë, është dorëzuar në Presidencë nga ana e Ministrisë së Jashtme që në vitin 2016, por Presidenti i kohës Bujar Nishani, vendosi të miratonte vetëm emrin e Dashnor Dervishit për të përfituar këtë grade, duke refuzuar emrin e ambasadori Boçka.
Sipas ligjit për shërbimin e jashtëm, diplomatët e karrierës e përfitojnë gradën “Ambasador” pasi të kenë fituar njëra pas tjetrës të gjitha gradat diplomatike, dhe të kenë qenë në detyrën e kreut të misionit diplomatik të paktën dy funksione, por jo më pak se gjashtë vjet gjithsej.
Dhe më pas, ministri i Punëve të Jashtme, bazuar në rekomandimin e Komisionit të Karrierës Diplomatike, i propozon Presidentit të Republikës dhënien e gradës personale “Ambasador” diplomatit të karrierës që përmbush kriteret e parashikuara në pikën 6 të ligjit.
Ilir Boçka ka një karrierë në shërbimin e jashtëm që në vitin 1981 duke pasur pozicione drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në shtete të ndryshme dhe organizata rajonale dhe ndërkombëtare.