Pas vetëm një viti e gjysmë në pushtet, koalicioni qeveritar në Holandë, i udhëhequr nga kryeministri Mark Rutte, është shpërbërë për shkak të çështjeve të migracionit duke shkaktuar zgjedhje të parakohshme me një rezultat të pasigurt për vendin dhe Evropën.
Origjina e rënies
Holanda, si shumë vende të tjera në Evropë, po kërkon të reduktojë emigracionin e saj dhe kjo çështje ka prishur shpejt marrëdhëniet midis katër partive në pushtet që nga janari 2022: VVD (në qendrëng e djathtë) e Mark Rutte, ”kushëriri” i saj ideologjik i CDA, D66 (qendër e majtë) dhe partia kristian-demokrate ”ChristenUnie”.
Vitin e kaluar, vendi u përfshi nga një skandal i madh i shkaktuar nga ngopja e qendrave të pritjes së emigrantëve, që detyroi qindra prej tyre të flenë në rrugë dhe vdekja e një foshnjeje tremuajshe në një prej këtyre objekteve, në gusht 2022.
Mark Rutte kishte premtuar se do të vepronte për t’i dhënë fund një “situate të turpshme”.
Gjatë javës së kaluar dhe sipas medias lokale, kryeministri ka shkaktuar habi duke bërë thirrje papritur për të kufizuar numrin e refugjatëve të luftës që pranohen në vend, në 200 çdo muaj, një plan që ka irrituar ”ChristenUnie” dhe D66.
Shumë kanë vënë në pikëpyetje se pse kryeministri mori rrezikun të sulmonte koalicionin e tij në këtë mënyrë, me përgjigjen më të mundshme që duket se lidhet me tensionet në partinë e tij për emigracionin.
Ngjarjet në vijim
Komisioni Zgjedhor Holandez ka bërë me dije se zgjedhjet e ardhshme mund të mbahen më herët në nëntor, veçanërisht për shkak të pushimeve verore dhe nevojës për t’u dhënë partive kohë për fushatë.
Këto do të jenë zgjedhjet e dyta të përgjithshme në dy vjet në vend, të qeverisur nga një sistem kompleks shumëpartiak që shpesh prodhon koalicione të paqëndrueshme.
Votimi i fundit në prill 2021 u pasua nga 271 ditë negociatash, një kohëzgjatje rekord dhe çoi në ardhjen në pushtet në janar 2022 të koalicionit aktual qeveritar, i katërti i drejtuar nga Mark Rutte që nga viti 2010.
Fituesit dhe humbësit
Të gjithë sytë janë te Lëvizja e sapolindur Fermer-Qytetar (BBB), e cila është ndërtuar mbi protestën e udhëhequr nga fermerët kundër planeve për të reduktuar madhësinë e tufave për të kufizuar emetimet e gazeve serrë.
Kjo parti, e cila u shfaq nga askundi, katër vjet më parë, fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet senatoriale këtë vit dhe liderja e saj Caroline van der Plas tha të premten se ishte gati të “fillonte betejën”.
E djathta ekstreme e politikanit islamofobik Geert Wilders dhe Partisë së tij të Lirisë (PVV) ka qenë prej kohësh një forcë e fortë politike në vend, por rezultatet e saj kanë qenë në rënie që nga viti 2021.
Sipas medias, humbësit e mëdhenj të zgjedhjeve të ardhshme mund të jenë CDA e ministrit të Jashtëm, Wopke Hoekstra dhe D66 e homologes së tij të financave, Sigrid Kaag.
Një mandat i pestë për Rutten?
Shkathtësitë e mbijetesës politike të Mark Ruttes i dhanë pseudonimin “Mark Teflon”, me skandalet që rrëshqisnin mbi të si një tigan që nuk ngjit.
Megjithatë, këtë herë ai mund të përballet me një “problem” të përmbledhur si më poshtë nga media holandeze RTL: “Kush dëshiron ende të qeverisë me Rutten?”
Partnerët e tij e kritikuan dhe kryetarja e Partisë së Fermerëve u zotua se ajo nuk do të hynte kurrë në një koalicion me të.
Nëse BBB mbledh mjaft vota për të kërkuar një vend në një koalicion, VVD e Mark Rutte mund të joshet ta filtrojë atë në mënyrë që të vendosë një anëtar tjetër të saj në krye të qeverisë.
Një ndikim për Evropën?
Holanda mund të shërbejë si një thirrje zgjimi për vendet e tjera evropiane.
Bashkimi Evropian është copëtuar për shkak të pritjes së mijëra emigrantëve që duan të mbërrijnë në kontinent, në një sfond të rritjes së partive nacionaliste.
E djathta ekstreme është tashmë në pushtet në Itali dhe mund të jetë edhe fituesja e madhe e zgjedhjeve të ardhshme në Spanjë.