Zi në futbollin spanjoll! Legjenda e sportit iberik, Luis Suarez Miramontes humbi jetën këtë të dielë në moshën 88-vjeçare. Ai ishte dhe mbetet i vetmi lojtar spanjoll që ka fituar Topin e Artë deri më sot, përpos Alexia Petullas në futbollin e femrave.
Me një karrierë të jashtëzakonshme, Luis Suarez u bë figura më e dashur në futbollin botëror, duke dhuruar emocione të shumta në fushën e blertë. Karrierën e nisi te Deportivo la Coruna, për të kaluar më pas te Barcelona, ku shpërtheu dhe tregoi gjithë potencialin.
Për shtatë sezone me katalanasit, ai fitoi dy tituj të La Ligës, ndërsa arritja e tij më e rëndësishme ishte Topi i Artë i vitit 1960. Kjo shërbeu si trampolinë për Suarez, që firmosi pas një viti me Interin, aty ku u shndërrua në një legjendë.
Me zikaltërit, spanjolli fitoi 3 tituj të Serie A dhe 2 Kupa Ndërkontinentale. Një karrierë brilante që ai e shfaqi edhe në ekipin spanjoll të futbollit. Me Luis Suarez si yll, Spanja fitoi kampionatin e parë Europian në historinë e saj në vitin 1964.
Si trajner, ai drejtoi nga stoli ekipe si Inter, Sampdoria dhe Cagliari, për tu pasuar me uljen në stol të kombëtares U-21 të Spanjës, ku arriti të shpallet kampion Europe në vitin 1986. Më pas ai mori drejtimin e përfaqësueses A, që e udhëhoqi për tre vite, mes të cilave në Botërorin e vitit 1990.