Të mërkurën në kishën “Apostull Pavli dhe Asti” u mbajt një simpozium shkencor mbi figurën historike të martirit të krishterë nga Durrësi.
Nga Gëzim Kabashi – BIRN
Shën Asti, një nga figurat fetare më interesante, i njohur edhe si shenjti mbrojtës i Durrësit u përkujtua të mërkurën në një simpozium të organizuar me rastin e kremtimit të tij.
Shën Asti u martirizua 1925 vjet më parë, më 7 korrik të vitit 98 pas erës sonë, ndërsa kishte nisur të kryente detyrën e peshkopit të qytetit.
“Vendosmëria e të krishterëve për të mos respektuar besimet zyrtare të perandorisë romake u lexua si sfidë që i bëhej stabilitetit dhe harmonisë së përgjithshme”, shkruan studiuesi Dorian Hatibi në librin e tij “Historia e Durrësit”.
Ndër historitë legjendare të të krishterëve që e kthyen qëndresën në virtyt, një ndër më epiket është ajo e Shën Astit të Dyrrahut.
Edhe pse duhet të ketë qenë në moshë të thyer, Asti nuk e mohoi besimin.
Të tërbuar romakët vendosën ta kryqëzonin dhe për t’ia bërë vdekjen edhe më të dhimbshme, ia lyen trupin me mjaltë, në mënyrë që gjatë qëndrimit në kryq të pickohej nga insektet.
Shtatë të krishterë të rinj, të cilët u bënë dëshmitarë të vuajtjeve të Astit u gjunjëzuan poshtë kryqit të tij.
“Të rinjtë u arrestuan dhe u ekzekutuan me mbytje”, tha studiuesi Hatibi për BIRN.
Në simpoziumin që u mbajt në kishën “Apostull Pavli dhe Asti” të qytetit bregdetar, disa historianë sollën të dhënat të reja mbi figurën e shenjtit.
“Durrësi është qyteti më i vjetër në vendin tonë dhe e ka shenjtin e tij mbrojtës, Shën Astin”, tha historiani Ilirian Gjika.
“Shën Asti ishte një figurë revolucionare,: tha më tej studiuesi Gjika, sipas të cilit shenjti luajti një rol “revuolucionarizues duke kontribuar në fidanishten e krishterimit në Durrës”.
“Ai jetoi mes banorëve të Durrësit”, tha për BIRN studiuesi Gjika, duke shtuar se shën Asti vazhdon të jetë një figurë shpirtërore për besimtarët durrsakë.
“Ai i përket të dy kishave, asaj orthodokse dhe asaj katolike, sepse jetoi para ndarjes së tyre në kishën lindore dhe perëndimore,” shpjegoi Gjika.
Edhe më parë, artistët durrsakë janë përpjekur të sjellin në vëmendjen e bashkëqytetarëve figurën e Shën Astit.
Në fund të viteve 1990, skulptori i njohur Qazim Kërtusha realizoi tre bocete të figurës së shenjtit, të cilat u pritën mirë edhe nga drejtuesit e pushtetit vendor.
“Kisha lexuar mjaft për kontributin e tij të hershëm në Durrës”, kujtoi skulptori Kërtusha, ndërsa shtoi se pasi punoit të tre variantet ua bëri të njohura kolegëve dhe disa drejtuesve të fesë dhe të pushtetit vendor.
“Një nga skulpturat mund të vendosej në qytet, në një vend të përshtatshëm, ndërsa tjetra ishte realizuar për tu instaluar në det, rreth 150 metra larg bregut, në vendin e njohur si Batllat, aty ku mendohet se është martirizuar Shën Asti”, vazhdoi Këërtusha.
Skulptori durrsak propozoi hapjen e një konkursi me artistët më të mirë të vendit për realizimin e një skulpture urbane, por të gjitha propozimet “mbetën në letër.”
Luigi de Rosa është një arbëresh, që jeton prej më shumë se 15 vjetësh në Shqipëri.
De Rosa tha për BIRN se “Shën Asti mund të jetë shumë mirë shenjti mbrojtës i qytetit të Durrësit, madje sipas meje ai është tashmë mbrojtësi i qytetit”.
“Megjithëse jam katolik, unë herë pas here i ndjek ritualet e kishës bizantine lindore, ashtu siç ndodhte në përgjithësi me arbëreshët e Italisë”, shton Luigi de Rosa.
De Rosa sjell shembullin e fshatit të tij Ururi (Itali), ku ai ka drejtuar botimin e revistës “Këmbora”.
“Në katundin tonë i falemi një cope nga kryqi, si një gjë e shenjtë,” tha ai, duke kujtuar se Shën Asti në Durrës është edhe një figurë historike.
Shën Astit do ti kushtohen disa kisha gjatë dy mijëvjeçarëve dhe ai do të jetë një figurë qendrore në kishën e Dyrrahut, ndërsa dita e martirizimit të tij, 7 korriku, përkujtohet në të gjithë botën.
Studiues të huaj të mesjetës, si Antoni Brier dhe Bushhauzen kanë hedhur idenë se kapela e amfiteatrit të Durrësit i dedikohet Shën Astit.
“Ajo dhe mozaikët e saj të realizuara në shek 5-6 të erës sonë tashmë janë vënë në qendër të studimeve që kanë lidhje me figurën e Shën Astit”, tha studiuesi Ilirian Gjika.
“Durrësi i bën nder Shën Astit, dhe Shën Asti i bën nder Durrësit,” tha Gjika, ndërsa shtoi “qyteti e meriton plotësisht një shenjt si ai.”