Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e ka vlerësuar si të drejtë, por të vonuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit për Arben Ahmetajn, në lidhje me çështjen e inceneratorëve.
Sipas Bardhit, SPAK duhet t’i shkojë deri në fund kësaj afere, teksa kërkoi mbledhjen pa vonesë të Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit për Ahmetajn.
“Kërkesa për të çuar Arben Ahmetaj para drejtësisë për aferën korruptive të incineratorëve është një veprim i drejtë, por i vonuar dhe i paplotë. SPAK duhet t’i shkojë deri në fund kësaj afere, duke bërë një hetim të plotë dhe të gjithëanshëm deri tek kreu i aferës korruptive, Edi Rama. Së bashku, ata kanë kryer disa nga veprat më monstruoze të korrupsionit qeveritar në 3 dekadat e fundit.
I kërkoj kryetares së Kuvendit të mbledhë pa vonesë sot Këshillin e Mandatave. SPAK-ut i duhet dhënë menjëherë akses për kontrollin personal dhe të banesës së ish zëvendëskryeministrit”, shkruhet në reagimin e Bardhit.