Aktualitet Tri akuza për Arben Ahmetaj, avokati zbulon sa vite burg rrezikon ish-...

Tri akuza për Arben Ahmetaj, avokati zbulon sa vite burg rrezikon ish- zv.kryeministri

Avokati Gentian Rumano tha në një intervistë për Euronews Albania se bazuar në akuzat për të cilat akuzohet ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ai rrezikon burgun.

Sipas avokatit, akuzat janë shumë të rënda, qoftë për opinionin politik të Arben Ahmetajt dhe akuzën e ngritur nga SPAK.

Ai sqaroi se për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë Ahmetaj rrezikon deri në 3 vjet burg, për akuzën e korrupsionit pasiv deri në 12 vjet burg dhe për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale deri në 10 vjet burg.

“Kontrollet e banesës kanë krijuar dyshimet se kemi veprën penale të korrupsionit pasiv dhe mosdeklarimit të pasurisë. Ka dy paragrafë; me gjobë deri në 6 muaj burg dhe një tjetër deri në 3 vite burg – akuza e mosdeklarimit të pasurisë. Akuza e korrupsionit pasiv lidhet direkt me inceneratorët dhe dhurata që janë pranuar nga Ahmetaj të dhëna nga Zoto, dënimi për këtë akuzë është nga 4-12 vjet burg. Akuza e tretë është akuzë që duhet të mbështetet në dy akuzat e para, nëse verifikohen të parat hyn në lojë akuza për pastrimin e produkteve të veprës penale 5-10 vjet burg”, tha avokati.

Ndërsa avokati Saimir Vishaj deklaroi gjatë një lidhjeje me Euronews Albania, se SPAK-u duhet të përshëndetet në lidhje me kërkesën e dorëzuar në Kuvendin e Republikës për arrestimin e Arben Ahmetaj.

Avokati theksoi se nuk është e lehtë të kërkosh arrestimin e personave që e kanë buxhetin personal më të madh se vetë Prokuroria e Posaçme.

Ndaj ai shtoi se SPAK duhet të përgëzohet në këtë moment, pavarësisht nëse Ahmetaj do të arrestohet apo jo.

“Ahmetaj kur shkoi në SPAK shkoi me imunitetin e deputetit gjë që e vështirësoi qenien e tij si person në hetim, apo person që i atribuohet një vepër penale. Sot SPAK duhet përshëndetur për iniciativën që ka marrë pasi nuk është kollaj të marrësh zotin Ahmetaj aty apo ndonjë person tjetër që sa e ka buxhetin SPAK e kanë ata personalisht. Është shumë e vështirë dhe SPAK-u duhet përshëndetur në këtë moment”, tha avokati.

Avokati shtoi se kërkesa për arrestimin e tij zbatohet vetëm nëse Këshilli i Mandateve i heq imunitetin, ose nëse vetë deputeti e lë me dëshirë atë.

“Në momentin që një deputet heq dorë nga mandati, nuk ka pse të shkojë përballë Komisionit të Mandateve, por mund t’i drejtohet si një njeri i lirë SPAK-ut. SPAK-u nuk do të thotë që me heqjen dorë do të vendos arrest me burg, janë 7 masa të tjera sigurie që mund të vendosen”, tha Vishaj.