Ditë të nxehta kanë qenë këto të korrikut për socialistët.
Në një kohë që SPAK i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit arrestimin e Arben Ahmetajt, burime bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama ka anuluar një takim që kishte planifikuar në qytetin e Vlorës, dhe është në disa takime në “Vilën 30” në Tiranë.
Fokusi i diskutimeve ishin zhvillimet e fundit, edhe në Ministrinë e Brendshme, me shkarkimin e Bledi Çuçit dhe emërimit në vend të tij të Taulant Ballës.
Takim tek “Vila 30” kanë zhvilluar dhe Taulant Balla, Ëngjëll Agaçi dhe Ulsi Manja.
Këshilli i Mandateve në Kuvend pritet që të mblidhet për ti hapur rrugë arrestimit të Ahmetajt, ku fillimisht do të dëgjohen pretendimet e ish-ministrit dhe të SPAK, dhe më pas raporti i kalohet për votim Kuvendit.
Kjo procedurë mund të evitohej nëse vetë Ahmetaj do të jepte dorëheqjen. Kërkesa drejtuar Kuvendit mban firmën e kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili është dhe prokurori që ka hetuar një pjesë të aferës së inceneratorëve, ku dyshohet si i implikuar edhe Ahmetaj.