Kryesore Nesër vendoset fati i Arben Ahmetajt

Nesër vendoset fati i Arben Ahmetajt

Të martën në orën 16:00 do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në fokus do të jetë shqyrtimi i kërkesës së SPAK për arrestimin dhe kontrollin në banesën e deputetit socialist, ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Urdhri për thirrjen e mbledhjes është firmosur nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Në urdhrin e Nikollës thuhet: “Urdhëroj thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, datë 11.07.2023, ora 16:00 në Kryesinë e Kuvendit”.

Rendi i ditës do të jetë “shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënien e autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqje e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj”.

Ashtu siç cilësohej edhe në kërkesën e SPAK, mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të zhvillohet me dyer të mbyllura me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedural penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor.

Gjithashtu, sipas urdhrit të kryetares së Kuvendit, ngarkohet sekretari i përgjithshëm për njoftimin e deputetit Ahmetaj, për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes.