Një problem teknik i një skafi, me të cilin po lundronin 13 pushues nga Shqipëria, të afërm me njëri-tjetrit, shkaktoi panik mes tyre, teksa kërkuan menjëherë ndihmën e policisë, pasi mbetën të bllokuar për orë të tëra në mes të detit.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i policisë kufitare, e cila ka dërguar ekipet e saj të shpëtimit, duke i shpëtuar të gjithë anëtarët e familjes, të cilët u nxorën në breg shëndoshë e mirë.
“Mbetën në det, gjatë orëve të natës, pasi skafi me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, pësoi defekt, shërbimet e Policisë Kufitare iu shkojnë në ndihmë 13 shtetasve (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), 6 prej të cilëve shtetas të mitur. Operacioni i shpëtimit zgjati deri në mesnatë dhe përfshiu evakuimin e 13 shtetasve dhe rimorkimin e mjetit lundrues skaf.
Rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin janë njoftuar se 13 shtetas, mes tyre dhe të mitur, kishin mbetur në det, në afërsi të kepit të Rodonit, pasi mjeti skaf me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, kishte pësuar defekt.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin dhe roja bregdetare janë nisur me mjet lundrues, drejt vendit të sinjalizuar. Si rezultat i operacionit të shpëtimit dhe evakuimit që zgjati deri në mesnatë, drejtuesi i mjetit lundrues skaf dhe 12 shtetasit në bord, 6 prej të cilëve shtetas të mitur (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), u nxorrën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu, mjeti lundrues skaf që kishte pësuar defektin, u rimorkua dhe u dërgua drejt portit të Durrësit. Policia e Durrësit fton qytetarët, turistët dhe pushuesit që të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, për çdo rast nevoje”, njoftoi Policia e Shtetit.