Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 2 vjet e 8 muaj të El Salih Ibrahim (Lekica), i cili u shpall fajtor për “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Vendimi u dha sot nga trupa gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nertina Kosova (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Daniela Shirka (anëtare).
57-vjeçari nga Kukësi u arrestua në muajin maj 2022, pasi postonte në rrjete sociale shkrime dhe foto terroriste, bënte thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste kundër disa institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Ibrahim El Salih (Lekica), person me prirje ekstremiste fetare, bënte vetëm postime për fenë islame dhe në një prej tyre uronte që të shkatërrohet Izraeli.
Njoftimi i Apelit të GJKKO:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nertina Kosova (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Daniela Shirka (anëtare), më datë 11.07.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 39 akti, datë 01.06.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri I. E. S. (L.), kundër vendimit nr. 14, datë 13.02.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit I. E. S. për kryerjen e veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, parashikuar nga neni 232/a të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 vjet burgim.
2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit I.E.S. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vjet e 8 muaj burgim.
3. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i arrestimit dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme…”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 14, datë 13.02.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.