Aktualitet Vdekja e 7-vjeçares në Potam të Himarës, Prokuroria përfundon hetimet: Merren të...

Vdekja e 7-vjeçares në Potam të Himarës, Prokuroria përfundon hetimet: Merren të pandehur 9 persona

Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi më 2 gusht të vitit 2022, ku në Potam të Himarës gjeti vdekjen në breg të detit, Jonada Avdiu, 7 vjeçe.

Ajo u përplas nga një mjet lundrues, në drejtimin e së cilës ishte Arjan Tase. Ky i fundit në momentin e ngjarjes ishte me detyrë shef i policimit në Komunitet në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, por kishte mbajtur edhe detyrën e shefit të Komisariatit të Himarës më parë (Lexo më shumë).

Prokuroria ka dalë në konkluzionin se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e Tases të zonës së përcaktuar për notarë si dhe manovrës së gabuar të tij në drejtimin e mjetit. Ai është marrë i pandehur nga Prokuroria për veprën penale “Vrasje me dashje”.

Hetimit të prokurorisë nuk i kanë shpëtuar edhe institucionet përgjegjëse të ngarkuara për zbatimin e sigurisë në plazhe gjatë sezonit turistik. Konkretisht për Bashkinë Himarë, Komisariatin Himarë dhe Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë.

Janë 8 persona që janë marrë të pandehur për shpërdorim detyre.

“F.M., me detyrë shef i sektorit të kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës “parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

N. B., me detyrë shef stacioni në Stacionin e Policisë Kufitare, Dhërmi, në sektorin e kufirit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

L. A., B.M. dhe K.H., me detyrë trupa shërbimi në mjetin lundrues BP06, të ngarkuar me kotrollin e vijës bregdetare në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

A. D. me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shperdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; dhe

B. A. dhe A.B., me detyrë përgjegjës dhe punonjës të Policisë Bashkiake në Bashkinë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal si punonjës që kanë kryer kontrolle periodike në vendin e ngjarjes”, njoftoi prokuroria.

Aksidenti i rëndë që i mori jetën Jonadës ndodhi rreth mesditës së 2 Gushtit. E mitura ishte duke luajtur në bregun e detit. Por skafi që drejtohej nga Tase përfundoi mbi të duke i marrë jetën.

Pas ngjarjes, Tase u përjashtua menjëherë nga radhët e uniformave blu. Kjo ngjarje tronditi opinionin publik dhe për pasojë u zhvilluan disa protesta në Tiranë.