Avokatët e Ahmetaj kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për ditën e nesërme.
Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 16:00 të së martës, ndërsa avokatët do ta parashtrojnë kërkesën.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit i ka kërkuar autorizim Kuvendit për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit të Financave dhe ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Ish-ministri po hetohet për “shpërdorim të detyrës”, “fshehje të të ardhurave”, “korrupsion” dhe “pastrim të parave”. SPAK, bashkangjitur kërkesës për arrestimin e Ahmetaj ka dërguar në Kuvend edhe një dosje voluminoze.
Në fillim të muajit mars, agjentët e BKH-së kryen kontrolle në banesën e partneres së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij në Tiranë. Shtëpia në Hamallaj dhe një vilë në Palasë, që dyshohet se i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, u vendosën nën sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme.