Tre efektivë të Policisë Rrugore Korçë janë pezulluar nga detyra e tyre me vendim gjykate pas dyshohet se kanë manipuluar provat në një aksident me dëme materiale.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se këta 3 punonjës kanë falsifikuar një test alkooli, duke mos e aplikuar tek shkaktari i aksidentit, por tek një tjetër person. Për këtë rast AMP njofton se po hetohen dhe efektivë të tjerë që dyshohet se janë implikuar në këtë ngjarje.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka zbatuar Urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka vendosur masën e sigurimit të karakterit ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësit e policisë të mëposhtëm:
– Nënkomisar K. SH., 32 vjeç, me detyrë Specialist i Trafikut Urban dhe Interurban në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.
– Inspektor K. ZH., 27 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.
– Inspektor O. L., 25 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.
Këta punonjës policie dyshohet se kanë manipuluar provat për një aksident me dëme materiale, si dhe kanë falsifikuar një test alkooli, duke mos e aplikuar tek shkaktari i aksidenti,t por tek një tjetër person.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e punonjësve të tjerë të dyshuar si të implikuar, ndërsa materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.