Kryesore Rama takohet me Mitsotakis, kryeministri grek kërkon “zgjidhjen e menjëhershme” të çështjes...

Rama takohet me Mitsotakis, kryeministri grek kërkon “zgjidhjen e menjëhershme” të çështjes Beleri

Kryeministri Edi Rama është takuar me kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis në Vilnius ku po mbahet samiti i NATO-s.

Sipas mediave greke, temë e bisedës mes dy kryeministrave ka qenë arrestimi i Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili është arrestuar për krime elektorale në zgjedhjet e 14 Majit dhe ndodhet në paraburgim.

Shtypi grek raporton se kryeministri Mitsotakis theksoi nevojën për zgjidhjen e menjëhershme të kësaj çështje.

Fredi Beleri u arrestua më 11 Maj, 3 ditë para zgjedhjeve vendore. Ai fitoi zgjedhjet për kryebashkiak të Himarës me diferencë të ngushtë votash.

Që prej arrestimit, Greqia ka kërkuar lirimin nga burgu të Fredi Belerit, ndërsa qeveria shqiptare e konsideron këtë një çështje të drejtësisë.