“NATO mund të vijë në ndihmë për të qetësuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës duke mbajtur një qëndrim më të fortë me KFOR-in.” Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me Eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo.
Nga Vilniusi ku është mbledhur Samiti i NATO-s, kreu i qeverisë deklaroi se ajo që po ndodh në Kosovë mund të përshkallëzojë në një vatër zjarri.
“Jam i rehatuar nga fjala e presidentit Biden në Këshill që foli sot për këto tema. Problemi i Ballkanit Perëndimor mund të mos jetë në të njëjtën madhësi të problemit të Ukrainës, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si diçka e papërfillshme. Dhe, ajo që po ndodh në Veri të Kosovës, është shumë e rrezikshme…”
Rama theksoi se Bashkimi Europian po punon me të dyja palët që të gjejnë gjuhët e përbashkët, megjithatë ai shtoi se është një palë e tretë që po ngrihet dhe kjo palë janë grupet ekstreme në veriun e Kosovës, “që është kthyer në një vend parajse për aktivitete kriminale.”
Ndërsa i pyetur se çfarë mund të bëjnë aleatët e NATO-s për të ruajtur infrastrukturën kibernetike, duke u ndalur te rasti i iranianëve në Shqipëri, Rama deklaroi se situata nuk është e lehtë.
Rama kujtoi se Shqipërisë iu kërkua të strehojë opozitën iraniane për t’ju shpëtuar jetën, por ndihmë nga Kongresi dhe Senati amerikan, sipas tij nuk ka qenë e duhura.
“Po përpiqemi të forcojmë sigurinë tonë, por nuk është e lehtë. Nuk janë mbështetës aq sa duhet. (Kongresi, Senati). Nuk janë mbështetës të plotë aq sa ne do të donim.”