Aktualitet Është arratisur? Avokatët: Arben Ahmetaj nuk është në Shqipëri

Është arratisur? Avokatët: Arben Ahmetaj nuk është në Shqipëri

Arben Ahmetaj duke dalë nga Shqipëria përmes pikës kufitare me Greqinë

Avokatët e Arben Ahmetajt gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve kanë pranuar se ai nuk ndodhet në Shqipëri. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori ka thënë se Arben Ahmetaj nuk ndodhet brenda territorit të Shqipërisë.

Kërkesa e SPAK për t’i hapur rrugë arrestimit të Ahmetajt është depozituar në Kuvend që të premten, ditë kur Ahmetaj mendohet se ka udhëtuar i vetëm drejt Greqisë.

Në të njëjtën mbledhje, prokurorët kanë pranuar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e tij. Gjasat janë që Ahmetaj të jetë arratisur.

Ish-deputetët që pranuan të dorëzojnë mandatin, Lefter Koka dhe Alqi Bllako janë në burg.

Në kryesinë e Kuvendit është mbledhur që nga ora 16:00 Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit për të vendosur nëse do t’i hapë rrugë arrestimit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj pas kërkesës së SPAK.

Gazetari Artan Hoxha publikoi një foto që sipas tij është bërë të premten dhe tregon  Ahmetajn në Doganën e Kakavijës. Sipas Hoxhës në udhëtimin drejt Greqisë, Ahmetaj ka qenë i vetëm në makinë.

“Në momentin kur ka dalë lajmi, nuk ka qenë në territorin e Shqipërisë, mund të vijë sepse i lirë është, por aty është duke vulosur pasaportën në Kakavijë”, tha gazetari Artan Hoxha.

Në fakt, shkresa e SPAK drejtuar Kuvendit mban datën 7 korrik, pra është dërguar ditën e premte, duke i lënë disa ditë kohë Ahmetajt deri kur arrestimi i tij të votohet në Kuvend.