Kulturë Shuhet Milan Kundera, shkrimtari që ndryshoi letërsinë e shekullit të 20-të

Shuhet Milan Kundera, shkrimtari që ndryshoi letërsinë e shekullit të 20-të

Ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare shkrimtari i njohur Milan Kundera. Ai dha frymën e fundit në Paris, aty ku dhe jetonte. Ai konsiderohet një ndër shkrimtarët më të mëdhenj antikomunistë, teksa u arratis nga Çekia komuniste në vitin 1975, për në Francë.

Shkrimtari, autor i romaneve që ndryshuan letërsinë e shekullit të 20-të, duke filluar me më të njohurin “Lehtësia e padurueshme e qenies”, u nominua disa herë për çmimin Nobel për letërsinë, pa e fituar kurrë atë.

I famshëm në mbarë botën për veprat e tij të përkthyera në rreth dyzet gjuhë, Kundera ishte një autor shumë i rezervuar, me shumë pak paraqitje publike. Informacioni i tij zyrtar biografik kufizohej në deklaratën e mëposhtme: “Milan Kundera lindi në Çekosllovaki. Ai u transferua në Francë në vitin 1975. Vepra e tij më e njohur është romani ‘Lehtësia e padurueshme e qenies’”.

Kundera studioi letërsi dhe muzikë në Pragë. Babai i tij Ludvík (1891-1971) ishte drejtor i Akademisë së Muzikës në Brno, JAMU, dhe një pianist i njohur. Që në moshë të re Kundera studioi muzikë, veçanërisht piano, dhe pasioni për muzikën do të kthehej shpesh në tekstet e tij letrare.

Poezitë e para i boton kur ishte ende adoleshent, falë kushëririt të tij Ludvik, disa vite më i madh se ai, një figurë poliedrike në kulturën çeke, një poet që doli nga dega “surrealiste” e grupit RA gjatë Luftës së Dytë Botërore, prozator, piktor, përkthyes nga gjermanishtja dhe studiues i dadaizmit në atë kohë, tashmë bashkëpunëtor i revistave të ndryshme letrare.

Pasi ndoqi kurset e letërsisë në Universitetin Charles në Pragë për një vit (duke filluar nga viti 1948), Kundera kaloi në Shkollën e Filmit, FAMU, ku u diplomua dhe ku më vonë dha lëndë në letërsinë krahasuese. Në vitin 1948, kur ishte ende student, u bashkua me Partinë Komuniste, por ai u përjashtua në vitin 1950 për shkak të disa kritikave ndaj politikës së tij kulturore që përmbante një letër që i dërgoi një mik; megjithatë në vitin 1956 ai u ripranua, duke u bërë një pikë referimi e rëndësishme në diskutimet e atyre viteve. Në vitin 1968 ai doli hapur në favor të të ashtuquajturës “Pranvera e Pragës”, dhe për këtë u detyrua të linte detyrën e mësimdhënësit dhe, në vitin 1970, u përjashtua përsëri nga partia.

Në vitin 1975 emigroi në Francë, ku dha mësim në universitetet e Rennes dhe Parisit, ku jetonte me gruan e tij, Vera Hrabankova. Në vitin 1979, pas botimit të librit “Libri i të qeshurës dhe harresës”, atij iu hoq shtetësia çekosllovake. Në vitin 1981, falë interesimit të presidentit francez François Mitterrand, ai fitoi shtetësinë franceze. Në vitin 2008, një dokument i gjetur në arkivat e Policisë së Pragës dhe i konsideruar i besueshëm dëshmon për një nga denoncimet e tij, në vitin 1950, kundër një njëzetvjeçari të përfshirë në një operacion naiv “spiunazhi” midis Gjermanisë Perëndimore dhe Çekosllovakisë; i riu më vonë u dënua me 22 vjet punë të rëndë. Kundera ka mohuar gjithmonë çdo përgjegjësi në këtë çështje.

Pas “Pranverës së Pragës” veprat e tij u ndaluan në Çekosllovaki; romanet e tij më të fundit i shkroi në gjuhën frënge dhe nuk i dha askujt të drejtat e përkthimit në gjuhën çeke. Për këtë arsye, autori ka pësuar kritika të forta brenda vendit, madje edhe në qarqet e disidencës, që nga botimi në 1984 i suksesit të tij më të bujshëm, “Lehtësia e padurueshme e qenies”, në Francë.

Do të duhet të pritej deri në vitin 2006 që Kundera të jepte lejen për botimin e romanit edhe në Republikën Çeke, nëpërmjet një botimi anastatik të atij të botuar në gjuhën çeke në Toronto qysh në vitin 1985.