Partia Socialiste shprehu qëndrimin e saj në seancë se është kundër ndryshimit të rendit të ditës, një kërkesë kjo e opozitës që do të hapte rrugë për miratimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Sipas deputetes Bushka, ka një procedurë që duhet ndjekur sipas rregullores, pasi raportet e Këshillit të Mandateve ende nuk janë gati.
“Në lidhje me kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës ju sqaroj se kërkesa e PD-së nuk ka bazë. Procesi për të cilin diskutohet nuk është politik, por procedural dhe duhet të mbizotërojë interesi i drejtësisë. Ne kemi bërë një proces në Këshillin e Mandateve, duhet të bëhet një raport ose dy. Rregullorja e normon që brenda dy javëve hartohet një raport, ne e përfunduam dje shqyrtimin. Të hënën është seanca”, tha Bushka.
Nga ana e opozitës reagoi sërish Gazment Bardhi, i cili i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të lërë negociatat në distancë me Ahmetajn dhe të kthehet në seancë për të dhënë llogari.
“Kam bërë një kërkesë procedurale, të ndërpritet seanca, thërrisni Ramën, është përgjegjësi e tij rasti i Krujës dhe inceneratorëve. Nuk mund të kalohet në heshtje, nuk ka zgjidhur hallet e korrupsionit. Ka një grup parlamentar në burg dhe po krijon një tjetër. Nuk është përgjegjësi individuale e Arben Ahmetajt. Është e gjithë qeveria e përfshirë në aferë. Rama të lërë negociatat në distancë me Ahmetajn. Anëtarët e Këshillit të Ministrave e kanë për detyrë të jenë në seancë kur kërkohet nga deputetët”, deklaroi Bardhi.