Aktualitet “Fajin e ka bashkia e Rrogozhinës”, lirohet administratori i plazhit ku u...

“Fajin e ka bashkia e Rrogozhinës”, lirohet administratori i plazhit ku u mbytën babai dhe dy djemtë

Është lënë në “arrest shtëpie” Pëllumb Nika, administratori i plazhit në Vilë-Bashtovë në Kavajë, ku u mbytën babai me dy djemtë e tij të mitur të dielën e kaluar

Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit).

Përpara togave të zeza, i arrestuari ia ka hedhur fajin bashkisë teksa ka thënë:

“Bovat nuk i vendosim ne, por e cakton bashkia Rrogozhinë hapësirën ujore që i përket çdo plazhi dhe thellësinë ku do të vendosen. Unë rrezikova jetën time dhe e kisha një flamur të kuq, por edhe 10 vrojtues të ishin nuk do bënin dot gjë. Nga ana njerëzore, kur pashë që nuk po futej njeri, ma dha Zoti dhe u futa me kajak, por u fundosa. Zonën ku vdiq i ndjeri dhe fëmijët e ka nën administrim bashkia. S’do të doja kurrë të ndodhte një gjë e tillë”.

Duke qenë se nuk mund të prishen provat dhe nuk cenohet hetimi, Nika do të hetohet në arrest shtëpie. Me këtë argument është lënë kjo masë sigurie.