Mediat greke kanë zbardhur detaje të reja nga vrasja e 50-vjeçarit shqiptar dje në Selanik. Ai u qëllua për vdekje në një pikë karburanti nga një tjetër shqiptar pas debatit.
Sipas mediave greke, autori dhe viktima janë të dy nga Elbasani.
“Viktima me origjinë nga Elbasani i Shqipërisë, bënte udhëtime të shpeshta drejt vendit të tij, tre deri në katër herë në muaj. Një ditë para vrasjes së tij, në fakt, ai ishte kthyer nga një udhëtim i tillë dyditor.
Ai ndiqte linjën Shkup-Pogradec-Shqipëri dhe po kthehej në Greqi nga Kapshtica”, shkruajnë mediat në vendin fqinj.
Sipas mediave greke, viktima konsiderohet si i dyshuar për transport droge, ndonëse as në Shqipëri dhe as në Greqi nuk ka pasur dënime ndaj tij.
Autori i vrasjes mizore, sipas të njëjtave informacione, gjithashtu është me origjinë nga Elbasani, i lidhur me një nga familjet më të rrezikshme të qytetit shqiptar, është dënuar për drogë në Greqi.
Mediat, bazuar te dëshmia e personave që ishin pranë pikës së karburantit në momentin që ndodhi vrasja kanë zbuluar edhe bisedën e fundit që solli ekzekutimin.
Debati
Viktima: Unë e kam bërë punën, më jep lekët!
Autori: T’i kam dhënë, nuk të kam borxh!
Më pas u qëllua me armë zjarri.