Politika Inceneratorët, Berisha paralajmëron protesta: Ndërmarrja është e Ramës, të tjerët ishin të...

Inceneratorët, Berisha paralajmëron protesta: Ndërmarrja është e Ramës, të tjerët ishin të punësuar privatë

Kryedemokrati Sali Berisha, ka dalë mesditën e kësaj të premteje në një deklaratë me gazetarët, ndërsa ka folur edhe njëherë për çështjen e inceneratorëve. Berisha ka akuzuar kryeministri Rama si pronari i vërtetë i ndërmarrjes së aferës së djegësave, sikurse e cilësoi ai, ndërsa shtoi më tej se, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë qenë thjesht të punësuar privatë në këtë ndërmarrje.

“Çështja e djegësave është çështja që është trajtuar më shumë nga mediat, politika dhe e vërteta, edhe nga drejtësia këto vitet e fundit. Por konstatoj se ka një defekt në themel, ka një devijim në themel të trajtimit të këtij problemi. Së pari, duhet të shtrojmë një pyetje: pse qeveria shqiptare me djegësat është provuar organizatë kriminale?

Qeveria shqiptare është provuar organizatë kriminale, sepse në këtë aferë kanë firmat e tyre antiligjore kryeministri, Sekretari i Përgjithshëm, ministrat, drejtorët dhe punonjësit më poshtë. Në këtë kontekst, siç është e qartë dhe evidente, tashmë e konfirmuar edhe nga drejtësia, se kemi të bëjmë me një aferë të mirëfilltë korruptive, këtu janë firmat e qeveritarëve më të lartë, me në krye Edi Ramën.

Por ka edhe diçka edhe më të madhe dhe unë jam këtu për të dytën. Mediat, politikanët, analistët, për fat të keq edhe drejtësia, flasin për aferën e djegësave si një sipërmarrje e Mërtirit, Zotot dhe së fundmi, Gugalles.

Sa është e vërtetë kjo? Nuk ka asgjë më larg të vërtetës se sa kjo.

Çfarë janë Mërtiri, Zoto dhe Gugallja? Janë tre socialistë të thekur, biznesmenë ose jo, të hurit ose të litarit, ose jo, të cilët në këtë proces, arrijnë:

-Të futen në garë të qeverisë duke pasur zero eksperiencë në fushën e mbetjeve. Cili biznesmen do i lejonte vetes një vendim të tillë, me zero eksperiencë në fushën e mbetjeve? Asnjë.

-Së dyti, pasi nisën procesin me tenderin e Elbasanit, Edi Rama lëshon një vendim për shpalljen e emergjencës kombëtare të plehrave. A mund të besoni ju se Mërtiri dhe Zoto, kishin fuqi të bindnin Edi Ramën të shpallte emergjencën?

Dy qëllime ishin: së pari shkelmimi i strategjisë së trajtimit të plehrave në landfille dhe seleksiono, të financuar nga BE. Së dyti, shpallja e emergjencës pasi fondet duhet të merreshin nga fondet e emergjencës. Mendoni ju se Mërtiri dhe Zoto mund të ishin kaq të magjishëm? Apo që qeveritarët ishin kaq budallenj?

Kjo dëshmon se ndërmarrja është qeveritare, ishte e Edi Ramës. Mireli dhe Klodiani ishin të punësuar privatë në ndërmarrje.

Shkojmë pak më tutje, Mireli dhe Klodiani, dy personazhe, tani jo vetëm që duhet t’i merrnin këto, por duhet t’i merrnin me të gjitha kushtet që ata donin.

Po ka qeveri, ka ministra që mund të pranojnë të firmosin duke plotësuar të gjitha kushtet e një biznesmeni apo dy biznesmenëve? Kurrën e kurrës. Kjo ndodh vetëm kur sipërmarrja është e qeverisë. A mundej Klodiani dhe Mireli të firmosnin 17 shkresa për 24 orë?”

Protestat

Sali Berisha paralajmëroi protesta për largimin e qeverisë. Në konferencën e përjavshme për shtyp, kreu i PD-së, tha se afera e inceneratorëve është e tillë që rrëzon qeveri, dhe nëse qeveria qëndron, kjo ndodh për shkak të dobësisë së opozitës.

Berisha tha se për këtë arsye do u drejtohet shqiptarëve. I pyetur se kur do të nisin këto protesta, Berisha tha se do të ketë negociata me forca të tjera politike opozitare.

Pyetje: Si po përfitoni për të rrëzuar atë që keni thënë prej kohësh, qeverinë Rama?

Sali Berisha: Pyetje e drejtë. Ne e kemi trajtuar këtë temë me seriozitetin dhe vërtetësinë më të madhe. Është e domosdoshme që t’u drejtohemi shqiptarëve. Në asnjë vend të botës një qeveri që ka kryer këtë nuk qëndron dhe nëse qëndron, qëndron për dobësinë e opozitës. Prandaj ne do u drejtohemi shqiptarëve.

Pyetje: Si?

Sali Berisha: Do u drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta. Kjo është një aferë e tmerrshme. Nuk ka shoqëri që mund ta tolerojë këtë aferë.

Pyetje: Kur nisin?

Sali Berisha: Do të jenë negociata me opozitën. Do të bëhen negociata me forca të tjera politike opozitare, por kjo nuk mund të kapërcehet.