Talent i pastër. Ka spikatur me të rinjtë e Juventusit, është 19 vjeç dhe po bën një Europian të madh, duke udhëhequr Italinë drejt finales së këtij kompeticioni me golin ndaj Polonisë dhe 2 asiste ndaj Spanjës. Luis Hasa ka zgjedhur të luajë për vendin ku ka lindur, pavarësisht origjinës shqiptare.
Shtypi sportiv italian e ka veçuar Hasën si një nga elementët kyç të Italisë U-19, që ka eliminuar Spanjën në gjysmëfinale dhe do të diskutojë trofeun në finalen me Portugalinë.
Mesfushori me tipare sulmuese, me këtë paraqitje që po bën, me siguri do të intrigojë Allegrin për ta pasur në skuadrën e parë, ndërsa kalimi te Juventus U-23 është i sigurt.
“Për golin ndaj Polonisë falënderon Vinjaton që e çoi praktikisht në portë. Me prindër shqiptarë, Hasa po ecën shumë mirë. Hapa të shpejtë dhe topin ngjitur pas këmbës, prekje prej fantazie të pastër. Kundër Spanjës, interpretimi i rolit të mesfushorit ishte një nga çelësat e suksesit të Italisë. Kjo paraqitje me Italinë mund të ngacmojë Allegrin”, – shkruan ‘La Gazzetta dello Sport’.
Luis Hasa ka lindur në Sora, në Itali. Ai ka edhe nënshtetësinë shqiptare, por ka zgjedhur të veshë fanellën e Italisë, vendit ku ka lindur dhe po rritet. Juventusi ka në duar një talent të madh.