Sport Rrëfehet Luis Hasa, talenti shqiptar i Italisë U-19 dhe Juventusit

Rrëfehet Luis Hasa, talenti shqiptar i Italisë U-19 dhe Juventusit

Luis Hasa me fanellen e Italise U-19.

Italia U-19 ka shkuar në finale të Europianit dhe mes talenteve të saj spikat një shqiptar, Luis Hasa. Familja e tij është nga Peqini, kurse ai vetë ka lindur në Sora. Nëse Italia ka shkuar në finale, i detyrohet familjes së Luis Hasës, një talisman i bukur.

Babai Arben, nëna Naiada dhe vëllai i madh Alesio kishin ardhur që ditën e ndeshjes së parë të Italisë kundër Portugalisë. Ata i thanë Luisit se e kishin prenotuar hotelin deri ditën e finales. “Tani e di ti çfarë duhet të bësh, – i thanë familjarët Luisit, – nëse kthehesh në shtëpi, nuk do të gjesh asnjeri”.

Ka batuta motivuese edhe më të bukura, por kjo ka pasur ndikim të madh te ‘xhevahiri’ i Juventusit. Ai shënoi golin vendimtar ndaj Polonisë dhe dha dy asiste për Vinjaton dhe Lipanin në gjysmëfinale ndaj Spanjës. Talenti me origjinë shqiptare ka dhënë para finales së Europianit U-19 këtë intervistë për ‘Gazzetta dello Sport’:

Me Portugalinë është e vështirë Hasa, pas asaj humbjeje 5-1 në grup…

Pikërisht. Ata, duke menduar se na kanë mundur, do ta marrin lehtë ndeshjen. Ne vijmë në një moment pozitiv, jemi të qetë, të motivuar dhe do ta luajmë në një mënyrë krejt tjetër finalen.

Çfarë ndodhi në atë ndeshje të parë?

Të luash me 10 vetë të penalizon, do të ishte ndryshe nëse do të ishim 11 kundër 11. Kemi kaluar ditë të vështira pas asaj ndeshjeje, atmosfera nuk ishte e mirë. Aty bëmë apel për të gjitha energjitë tona dhe arritëm të rikuperonim menjëherë. Tani kemi edhe një hap të fundit për të bërë.

Çfarë mendonit ato ditë?

Se duhej të ecnim përpara për veten, stafin, ata që na mbështesin dhe familjet tona. Por mbi të gjitha, sepse e meritojmë. Shumë mendonin se nuk do të arrinim deri këtu, por Italia nuk dorëzohet kurrë.

Trajneri thotë se ju nga grup jeni bërë skuadër, ky është sekreti…

Skuadër bëhesh vetëm në një mënyrë: duke kaluar sa më shumë kohë bashkë. Dhe ne në grumbullim nuk mbyllemi në dhomë me telefona në duar, por dalim dhe flasim, diskutojmë dhe kështu jemi bërë Italia që jemi. Kemi sakrifikuar shumë, kemi punuar dhe e meritojmë finalen.

Ju jeni 19 vjeç, a e kujtoni herën e parë kur keni shkuar te Juventusi?

Po, u ngatërruam. Isha në makinë me babanë dhe vëllanë. Nuk gjetëm rrugën e duhur dhe humbëm. E kujtoj gjithmonë dhe i them babait: ‘Sa herë e kemi bërë këtë rrugë?’ dhe ai qesh. Tani nuk na duhet më navigatori, e di me sy mbyllur.

Luis Hasa me fanellen e Juventusit

Me të rinjtë e Juventusit dhe Italisë ju kemi parë në të paktën 6 role. Ku ndiheni më mirë?

Ndihem më mirë në mesfushë, ose trekuartist, dua të luaj si Modriç.

Një nga idhujt tuaj është Ronaldo. E keni takuar ndonjëherë?

Po, për festën e Krishtlindjeve. Kaloi 5 sekonda nga ne për të bërë një foto. Më kaloi përpara dhe më hynë të dridhurat. Të flisja? As që bëhet fjalë.

Ka krahasime për ju si Mireti i ri apo Del Piero…

Jam i kënaqur, kam dëgjuar shumë, por sinqerisht nuk mendoj shumë për to. Janë lojtarë të mëdhenj, por unë dua të bëhem Hasa, asnjë tjetër.

Nëse fiton Europianin, çfarë do të bësh?

Ndoshta do të shkoj me pushime. Avioni për kthimin është të hënën, shpresoj që të festoj me shokët, ndoshta bashkë me kupën.