Aktualitet Riorganizohet Komisariati i Policisë së Krujës, emërohen drejtuesit e rinj dhe 26...

Riorganizohet Komisariati i Policisë së Krujës, emërohen drejtuesit e rinj dhe 26 efektivë të tjerë

Lirohen nga detyra ish-drejtuesit, transferohet stafi

Komisariati i Krujës është riorganizuar tërësisht pas ngjarjes së datës 6 Korrik ku dy kushërinjtë Maja u dhunuan barbarisht nga fisi Rraja.

Tashmë janë emëruar drejtuesit e rinj të komisariatit dhe stafi prej 26 punonjës policie.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj kanë firmosur ndryshimet.

Konkretisht, është liruar nga detyra shefi i Komisariatit të Policisë Krujë Komisar Elton Shahini dhe është emëruar në këtë detyrë të Komisar Kreshnik Alimadhi.

Po kështu, është liruar nga detyra të Zëvendësshefit të Komisariatit/Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë Nënkomisar Ajet Bega dhe është emëruar në këtë detyrë Nënkomisar Sadik Topuzi.

Nga detyra është liruar edhe shefi i Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Krujë nënkomisar Anri Nazaj dhe është emëruar në këtë detyrë të Nënkomisar Dashamir Ilamaj.

Njëkohësisht është caktuar me detyra edhe stafi i ri prej 26 punonjësish të policisë, të cilët janë marrë nga Komisariatet e tjera të Policisë në varësi të Drejtorisë së Policisë Tiranë, bazuar në përvojën, eksperiencën dhe integritetin e tyre.

Ndërsa stafi i vjetër, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të Patrullës së Përgjithshme, është transferuar menjëherë.

Policia e Shtetit thotë se këto ndryshime janë vetëm si pasojë e ngjarjes mes fisit Rraja dhe Maja, por dhe si rrjedhojë e një analize të gjerë të punës të bërë për 6-mujorin e  parë të vitit 2023, bazuar në statistikat e kriminalitetit dhe problematikave të tjera të rendit e sigurisë, ku një numër personash me precedent kriminal, banorë të juridiksionit territorial që mbulon Komisariati i Policisë Krujë, janë përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale me impakt tek qytetarët.

Me qëllim  forcimin e rendit dhe sigurisë në këtë territor, bazuar dhe në hartën e re gjyqësore dhe organizimit të sistemit të Prokurorisë së Përgjithshme është bërë dhe riorganizimi i strukturave për ti paraprirë një qasjeje të re të kontrollit të territorit, të evidentimit dhe goditjes së aktiviteteve kriminale si dhe për  parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në këtë territor.