Aktualitet Prishën martesën, sherr mes familjeve në Durrës. Policia ndërhyn dhe sekuestron armën...

Prishën martesën, sherr mes familjeve në Durrës. Policia ndërhyn dhe sekuestron armën kallashnikov

Policia ka ndërhyrë duke parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit mes dy familjeve në fshatin Arapaj të Durrësit pas prishjes së martesës mes fëmijëve.

Tre persona janë arrestuar, mes të cilëve dhe dhëndri, ndërsa një person i katërt, nusja, është proceduar në gjendje të lirë.

Sipas policisë, 52-vjeçari G.D. së bashku me vajzën e tij H.D. 20 vjeçe shkuan në banesën e dhëndrit K.U. 33 vjeç në fshatin Arapaj për të prishur martesën. Aty u konfliktuan fizikisht të gjithë me njëri-tjetrin duke ushtruar dhunë. Në sherr u përfshi edhe 59-vjeçarja me iniciale N.U.

G.D., K.U. dhe N.U. u arrestuan për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa 20-vjeçarja H.D. u procedua në gjendje të lirë.

Po kështu, policia gjeti në banesën e dhëndrit një armë zjarri kallashnikov me 30 fishekë, që u sekuestrua.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.