Aktualitet Dhuna për guroren në Borizanë, policia kontrollon banesën e ish-deputetit Rrahman Rraja

Dhuna për guroren në Borizanë, policia kontrollon banesën e ish-deputetit Rrahman Rraja

Në banesën e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja është ushtruar një kontroll nga ana e Policisë së Shtetit.

Qëllimi i kontrolleve ka qenë gjetja e personave të shpallur në kërkim pas dhunës së ushtruar ndaj dy pjesëtarëve të fisit Maja, pas konfliktit për guroren në Borizanë.

Gjashtë personat në fjalë janë shpallur në kërkim pasi skenat e dhunës barbare që ata ushtruan ndaj Jashar dhe Bilbil Majës u publikuan në rrjet.

Brenda banesës së Rrahman Rrajës nuk janë gjetur sende të jashtëligjshme, por as personat e shpallur në kërkim, djali i tij Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta.

Në vijim, policia ka kryer edhe kontrolle të tjera për arrestimin e tyre, por asnjëri nuk është lokalizuar.

Aktualisht të gjithë figurojnë brenda vendit, por kjo nuk e përjashton mundësinë e një largimi në mënyrë të jashtëligjshme.