Deputetët e maxhorancës në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratuan me votat e tyre ndryshimin e ligjit për Akademinë e Shkencave. Nisma ligjore ishte propozim i dy deputetëve të PS-së, Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj i cili në vetvete i jep mundësinë Skënder Gjinushit të zgjidhet sërish në krye të Akademisë së Shkencave.
Mbledhja e Komisionit u bë pa praninë e deputetëve të opozitës. Pavarësisht kësaj, akti nuk pati konsensus pasi tre deputetë të shumicës abstenuan ndërsa 9 të tjerë ngritën dorë pro.
Përpara fillimit të mbledhjes, Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka akuzoi socialistin Petro Koçi, i cili mban detyrën e zëvendëskryetarit të komisionit, dhe bashkë-firmëtarin e projektligjit, Ismet Beqiraj, se po organizonin mbledhjen në shkelje të rregullores së Kuvendit.
Kjo situatë, tha kryetarja e komisionit, po ndodh pikërisht në ditën e mbarimit të mandatit të Skënder Gjinushit si Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe deputetet Koci e Beqiraj, kërkuan kalimin në votim të projektligjit, i cili në një prej neneve të tij parashikon pikërisht lejimin e një mandati tjetër për Skënder Gjinushin.