Ish-deputetja demokrate që u la jashtë liste nga kreu i PD-së Lulzim Basha duke mos qenë kështu më parlamentare ka dhënë sot një mesazh nga mbyllja e shkollës evropiane verore.
Si kryetare e Këshillit Kombëtar të integrimit evropian, ajo tha se bëri çdo përpjekje për afrimin e Shqipërisë me BE-në dhe si deputete e opozitës. Për mosqenien e saj më brenda parlamentit ajo tha se pagoi çmimin e respektit ndaj vetes.
“Ndërkohë që parlamenti po mbyll sesionin e ri unë po mbyll marrëdhëniet parlamentare me të. Nga marsi i vitit 2007 deri në shtator 2013 mu besua detyra e lartë për nxitjen dhe koordinimin e përpjekjeve për afrimin e Shqipërisë dhe Europës. Investova në të çdo ditë të kalendarit. Nuk dështova, gjithçka u bë sigurisht edhe falë të tjerëve që iu detyroj mirënjohjen time të sinqertë. Nuk u ndjeva asnjëherë vetëm, dola nga kjo eksperiencë më e ditur, më e matur.
Në opozitë pavarësisht mungesës së forcës së pushtetit por me qartësinë e madhe.
U mundova të kuptoja dhe pastaj të flisja se çfarë nuk shkon me stilin që brezi im po bënte politikë. Nuk jemi edukuar për të qenë të lirë dhe për ta respektuar lirinë. Se ç’ndodhi në vijim e dinë të gjithë pagova çmimin e respektit ndaj vetes se thashë disa të vërteta që vazhdojnë të mbeten edhe sot të vërteta. Disa janë mësuar që veten ta kërkojnë ndër të tjerët dhe këta janë e keqja që s’munden dot kollaj, banaliteti dhe e keqja më e madhe sot e Shqipërisë”, tha Bregu.
Ish-ministrja e Integrimit ka folur edhe në lidhje me zërat se ajo do të përfshihet në qeverinë “Rama 2”.
Duke mohuar zërat, Bregu ka bërë edhe një akuzë ndaj një deputeti pa i përmendur emrin, duke e cilësuar si burimin e një lajmi të rremë.
Edhe pse nuk i përmendi emrin, Bregu ka sulmuar deputetin biznesmen të Vlorës, Agron Shehaj, duke e cilësuar si një “tarallak rishtar që edhe pse ka blerë një mandat parlamentari e nis punën si shërbëtor”.
Ky i fundit pati ironizuar Bregun duke i cilësuar si të vërtetë zërat se ajo do të ishte pjesë e qeverisë “Rama 2”.
“Shumë gazetarë më kanë pyetur javës që shkoi për një përfolje publike, (se mos ishte e vetmja), për përfshirje timen në qeverinë e sotme, për shkrirjen e Ministrisë së Integrimit e kështu me radhë.
Jam lodhur duke përgënjeshtruar lajme e sajesa, burimin e të cilave e gjen fare lehtë, mjaft të lexosh ndonjë tarallak rishtar që edhe pse ka blerë një mandat parlamentari e nis punën si shërbëtor.
Mua nuk më duhet të jem as në parlament, as në qeveri, për të qenë shqiptar. Tashmë e kam detyrim të fatit dhe identitetit tim politik që kudo të jem, të përpiqem po njësoj për të afruar datën e Shqipërisë në Europë”, tha Bregu.