Presidenti kinez, Xi Jinping u takua sot në Pekin me ish-sekretarin amerikan të Shtetit dhe diplomatin shquar, i konsideruar si ”peshë e rëndë” në politikën botërore, Henry Kissinger, mes tensioneve gjeopolitike në rritje.
“Kina nuk do ta harrojë kurrë kontributin e Kissingerit për zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane dhe forcimin e miqësisë midis dy popujve”, tha Xi.
Kissinger zhvilloi një vizitë të fshehtë në Republikën Popullore të Kinës në korrik 1971 duke nisur hapat e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Ky ka qenë vendimi i duhur. Kissinger kishte nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve kino-amerikane, që përfituan të dy vendet dhe ndryshoi botën”, tha Xi.
“Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të lidhura me paqen botërore dhe progresin e shoqërisë njerëzore”, tha Kissinger.
Ai falënderoi Xi për zhvillimin e takimit në të njëjtën zyrë ku priten mysafirët shtetërore, ku u takua për herë të parë me udhëheqjen e atëhershme kineze, më shumë se 50 vjet më parë.
Gjatë qëndrimit të tij në Pekin, Kissinger u takua gjithashtu me ministrin e Mbrojtjes, Li Shangfu dhe diplomatin e lartë, kinez Wang Yi.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një pikë të ulët për shkak të çështjeve të ndryshme.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden e sheh Kinën si sfidën më të madhe gjeopolitike dhe po mban një qëndrim të ashpër kundër Pekinit.
Kina, nga ana tjetër, ka akuzuar SHBA-në se po përpiqet për nxitjen e hegjemonisë.
Disa anëtarë të rangut të lartë të qeverisë amerikane, kanë udhëtuar në Pekin javët e fundit, në një lëvizje për të zbutur tensionet mes dy vendeve.