Kryeministri Edi Rama, i cili sot nuk ishte i pranishëm në seancën e fundit të Kuvendit për këtë sesion, ka postuar në Facebook një video nga inspektimi i akseve të reja rrugore Orikum-Dukat dhe Palasë-Dhërmi.
Kreu i qeverisë shoqërohej nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Në akset e reja Orikum-Dukat dhe Palasë-Dhërmi, ende në punë e sipër po të hapura përkohësisht, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve, në këtë periudhë fluksesh të larta të lëvizjes së automjeteve.
Në qershorin e 2024-ës kjo pjesë shumë e rëndësishme e gjerdanit të ri infrastrukturor të bregut Jonian do të jetë e përfunduar, ndërkohë që po punohet me projektin për rrugën e re turistike që nga Dhërmiu në Himarën dhe Sarandë, përmbi kreshtat e kodrave, e cila do të jetë një alternativë çliruese për zhvillimin e infrastrukturës hoteliere dhe çlirimin e trafikut në bregdetin jugor të Shqipërisë 2030, kampione e Ballkanit në Turizëm”, shkruan Rama në rrjetin social.