Të premten do të shfaqet për herë të parë në kinema filmi i shumëpritur “Oppenheimer”, i cili është i pari film biografik që realizohet në Hollivud pas pandemisë së Covid-19.
Realizimi i fundit i regjisorit Christopher Nolan tregon historinë e ndërtimit të bombës së parë bërthamore, përmes syve të krijuesit të saj, J. Robert Oppenheimer, rol të cilin e luan ylli i serialit “Peaky Blinders”, Cillian Murphy.
Filmi, i cili ka një kast të jashtëzakonshëm me yje të kinematografisë si Matt Damon, Emily Blunt, Florence Pugh dhe Robert Downey Jr., bazohet në librin biografik të shkruar nga Kai Bird dhe Martin J. Sherëin, “Prometeu amerikan: Triumfi dhe tragjedia e J. Robert Oppenheimer”.
Kush ishte J. Robert Oppenheimer?
Oppenheimer vlerësohet gjerësisht si babai i bombës atomike. i lindur më 22 prill 1904 në Nju-Jork, ai ishte djali i një importuesi gjerman tekstilesh. Ai ngjiti shpejt shkallët e karrierës dhe u bë një fizikan i njohur ndërkombëtarisht e më pas u punësua nga qeveria amerikane për të krijuar bombën bërthamore, si kundërpërgjigje ndaj rrezikut të Gjermanisë naziste.
Por karriera e tij pati edhe disa pika të ulëta, teksa vetë Oppenheimer hasi vështirësi të përballonte faktin se kreu shpërthimin e parë bërthamor në histori.
Dy dekada pas atij momenti, më 16 korrik 1945 në një vend të humbur në Nju Meksiko, Oppenheimer u tha gazetarëve, “E dinim që bota nuk do të ishte më e njëjta. Disa qeshën, disa qanë, shumica mbetën të heshtur”. Ai tha gjithashtu se mbante mend një pasazh nga një libër i shenjtë hindu, ku thuhej: “Tani unë jam bërë vdekja, shkatërruesi i botëve”.
Oppenheimer besonte se krijimi i një bombe atomike ishte i nevojshëm për t’i dhënë fund Luftës II Botërore. Por e rëndonte ideja që po mundësonte gjithashtu shkatërrimin e botës.
Ky konflikt moral solli edhe shkatërrimin e tij përfundimtar, kur kundërshtoi krijimin e bombës me hidrogjen dhe u akuzua për ngadalësimin e këtij procesi.
Komisioni Amerikan i Energjisë Atomike tha në vitin 1954: “Nëse Dr. Oppenheimer do të kishte mbështetur me entuziazëm programin termonuklear para ose pas përcaktimit të politikës kombëtare, projekti i bombës me hidrogjen do të ishte realizuar shumë më shpejt”.
Çfarë ishte Projekti Manhattan?
Ardhja në pushtet e Adolf Hitlerit në Gjermani bëri që fizikanët si Albert Einstein, Leo Szilard dhe Eugene Wigner të paralajmëronin qeverinë amerikane për rrezikun që i kanosej njerëzimit nëse nazistët arrinin ta ndërtonin të parët bombën bërthamore.
Kjo bëri që qeveria amerikane të mblidhte një skuadër me fizikanët atomikë më të mirë, të drejtuar nga Oppenheimer, i cili kishte fituar reputacion ndërkombëtar për kërkimet e tij mbi grimcat më të vogla se atomi.
Oppenheimer dhe skuadra e tij ndërmorën të ashtuquajturin “Projekti Manhattan” në një zonë të largët të Los Alamos, Nju Meksiko dhe në korrik të vitit 1945 arritën të kryenin shpërthimin e parë bërthamor në botë.
Më pak se një muaj më vonë, më 6 dhe 9 gusht të vitit 1945, ushtria amerikane lëshoi bombat bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, duke vrarë menjëherë 110 mijë vetë dhe dhjetëra mijëra të tjerë brenda një viti. Në tetor të atij viti, Oppenheimer dha dorëheqjen nga posti i tij.
Çfarë bëri Oppenheimer më pas?
Në vitin 1947, Oppenheimer u emërua kreu i Institutit për Studime të Avancuara në Universitetin “Princeton”, në Nju Xhersi. Nga ai vit e deri më 1952, ai shërbeu edhe si drejtuesi i Komitetit të Përgjithshëm Këshillimor në Komisionin e Energjisë Atomike, që në tetor të vitit 1949 u shpreh kundër ndërtimit të bombës me hidrogjen.
Në epokën pas Luftës II Botërore, teksa globi hynte në Luftën e Ftohtë, shërbimet inteligjente amerikane dyshuan që Oppenheimer kishte lidhje me komunistët, të cilët mendohej se po përpiqeshin të infiltroheshin në sfera të ndryshme të qeverisë amerikane në ato vite.
Oppenheimer u akuzua për pabesi ndaj atdheut për shkak se kundërshtoi krijimin e bombës me hidrogjen si dhe për miqësinë që kishte ruajtur me studentët komunistë të viteve 1930 të cilët mbështesnin antifashistët gjatë Luftës Civile në Spanjës. Si pasojë e kësaj, në vitin 1954, ai humbi certifikatën e sigurisë dhe postin e tij si këshilltar në qeverinë amerikane.
E gjithë kjo, në një kohë kur kërcënimi i një lufte bërthamore botërore ishte temë kryesore në politikën ndërkombëtare.
Vitet e mbetura, Oppenheimer i kaloi tejet i shqetësuar nga konflikti mes moralit dhe përparimit të shkencës. Në vitin 1966 ai u largua nga posti që mbante në Institutin e Studimeve të Avancuara dhe vdiq një vit më vonë në moshën 62-vjeçare.
Vitin e kaluar, Departamenti Amerikan i Energjisë zyrtarisht anuloi heqjen e certifikatës së sigurisë për Oppenheimer, duke e quajtur procesin e zhvilluar kundër tij në vitin 1954 si “me probleme”. Sekretarja e Energjisë, Jennifer Granholm, tha në një deklaratë dhjetorin e kaluar: “Me kalimin e kohës më shumë dëshmi kanë dalë në dritë që tregojnë padrejtësinë e procesit të cilit iu nënshtrua Dr. Oppenheimer ndërsa besnikëria e tij për vendin vetëm sa është konfirmuar”.