Automjeti dhe arma që dyshohet se u përdorën nga vrasësit e Nikolin Lekstakajt, u gjetën këtë të enjte në Gjadër të Lezhës, rreth 12 kilometra nga vendi i ngjarjes.
Policia thotë se makina Benz, e cila rezulton e vjedhur në Dimal një vit më parë, u gjet tërësisht e djegur. Brenda saj u gjet një automatik dhe disa gëzhoja, po ashtu të djegura plotësisht.
“Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet policore në të gjithë territorin e rrethit të Lezhës me qëllim gjetjen dhe kapjen e autorëve, në fshatin Gjadër të njësisë administrative Dajç, në një parcelë arë, nga shërbimet e policisë, është gjetur i djegur plotësisht një automjet tip Benz, i cili në shtator të vitit 2022, është denoncuar i vjedhur në Dimal të rrethit Berat. Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, janë gjetur një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht.
Arma e zjarrit e gjetur dyshohet të jetë arma që është përdorur për vrasjen e shtetasit Nikolin Marku (Lekstakaj). U bë sekuestrimi i tyre në cilësinë e provës materiale për t’u dërguar për ekspertime. Nën drejtimin e prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore procedurale të thelluara, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në një njoftim të Policisë së Lezhës.
42-vjeçari Nikolin Lekstakaj u ekzekutua pasditen e së mërkurës në fshatin Balldre të Lezhës, dyshohet për shkaqe hasmërie. Deri më tani policia nuk ka ende një autor të dyshuar për ngjarjen e rëndë, ndërsa gjatë ditës së sotme janë shoqëruar disa persona.
Të shoqëruarit janë kryesisht nga fisi i Nikulajve, me të cilin Lekstakajt janë në hasmëri prej 26 vitesh.