Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha në një intervistë për “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania se dy ministra të tjerë do përfundojnë në burg pas Arben Ahmetajt.
“Dy ministra të Ramës do të arrestohen pas Ahmetajt. Në dosjen e ardhur në Kuvend për Ahmetajn, ka dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ne nuk kemi asnjë mjet për t’i ushtruar presion drejtësisë. Kam mbështetur në mënyrë të plotë prokurorët e SPAK. Hetimi për Ahmetajn ishte një hetim i thelluar”, tha Bardhi.
Lidhur me zgjedhjet e parakohshme, Bardhi tha është një tezë që e hedh vetë Edi Rama. Sipas tij kjo është një formë e kryeministrit për të mbajtur deputetët e Partisë Socialiste në tension.
“Shkak është një problematikë që Rama ka brenda grupit të vet parlamentar dhe e përdor si një formë presioni ndaj deputetëve të cilët kanë gjithë të drejtën e Zotit, deputetët e PS-së, të jenë të mërzitur që i kanë përdorur dhe në aferën e inceneratorëve”, u shpreh Bardhi.
“Edi Rama për t’i mbajtur në presion këta kolegë të cilët sigurisht, një pjesë e tyre janë individë me integritet dhe sigurisht nuk janë të përfshirë në këto afera apo këto skandale, për të ulur një reagim të tyre ndoshta dhe të brendshëm, brenda grupit të tyre parlamentar, ka hedhur këtë tezën e zgjedhjeve të parakohshme”, shtoi Bardhi.