Aktualitet Tragjedia në Gramsh, polumbarët gjejnë katër trupat e pajetë në liqen

Tragjedia në Gramsh, polumbarët gjejnë katër trupat e pajetë në liqen

Polumbarët kanë mundur të nxjerrin trupat e pajetë të 4 personave u mbytën pasditen e kësaj të premteje në liqenin e Banjës në Gramsh.

Viktimat nga kjo ngjarje tragjike janë 46-vjeçari Arben Zogu me dy djemtë e tij, Esti Zogu 14 vjeç dhe Rubens Zogu 19 vjeç, si dhe kushëriri i tyre 20-vjeçar Melis Zogu.

“Liqeni i Hidrocentralit të Banjës. Angazhimi maksimal e profesional i Polumbarëve të Reneas bëri të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të katër shtetasve të mbytur në liqen, pasditen e sotme. Polumbarët e Reneas pas rreth 90 minuta kërkimesh, në kushte të pafavorshme për shkak të errësirës kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të 4 shtetasve, që u mbytën pasditen e sotme në liqenin e hidrocentralit të Banjës, (46-vjeçarit Arben Zogu, të dy djemve të tij, Rubens Zogu, 19 vjeç dhe Esti Zogu, 14 vjeç si dhe të 20-vjeçarit Melis Zogu)”, tha policia në një njoftim për mediat.

Pasi polumbarët kanë mundur të nxjerrin trupat e pajetë të 4 personave nga liqeni i Banjës në Gramsh, kanë folur për mediat dhe dy familjarë të tyre.

“Kushërinjtë tanë janë ata tre të tjerët. Do dalim për t’u larë thanë, ja motorat këtu, me telefona siç ishin me shapka dolën nga shtëpia. Nuk  do vonohemi shumë thanë. S’dimë gjë tjetër më… U nisën në orën 3, në orën 5 i merrnim në telefon nuk përgjigjeshin”, u shprehën në një prononcim të shkurtër  për gazetarët familjarët e viktimave.