Aktualitet Balla, ministri antigjobë: S’më interesojnë ‘sukseset’ e gjobave, por ndërgjegjësimi i qytetarëve...

Balla, ministri antigjobë: S’më interesojnë ‘sukseset’ e gjobave, por ndërgjegjësimi i qytetarëve për rregullat

Ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla, është shfaqur si njeriu antigjobë, duke patur tjetër qasje ndaj ndëshkueshmërisë klasike të Rrugores për qytetarët e padisiplinuar në timon.

Në një takim me vartësit në Durrës, ai tha se nuk duhet shkuar direkt te gjoba pa kaluar më pas te një fazë paraprake komunikimi mes policit dhe qytetarit shkelës.

“Policia Rrugore nuk është gjahtare shkelësish. Nëse një drejtues automjeti nuk ka të vendosur rripin apo përdor telefonin e lëvizshëm gjatë drejtimit, përpara se t’i kërkoni dokumentet, është detyrim të përshëndeteni me qytetarin, pyeteni çfarë halli ka që e shtyjnë të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor, duke rrezikuar veten e të tjerët. Pra ajo që për ne ka rëndësi është siguria rrugore, është edukimi apo ndërgjegjësimi. Nuk është gjoba, qëllimi. Asnjë rast nuk është njësoj me tjetrin. Nuk më interesojnë ‘sukseset’ e gjobave, por bindja e përgjithshme e qytetarëve se duhen zbatuar rregullat, jo pse është një punonjës i policisë rrugore pas kthesës, por sepse kështu mbrojmë jetë njerëzore”, arsyetoi Balla, duke shpalosur kështu një qasje të re dhe duke ia diktuar këtë efektivëve të Rrugores në terren.

Tashmë pritet të shihet se a do funksionojë vizioni i tij i ri për ligjzbatimin rrugor.