Aktualitet Kthyen banesën në laborator kanabisi, arrestohen dy vëllezër në Shijak (VIDEO)

Kthyen banesën në laborator kanabisi, arrestohen dy vëllezër në Shijak (VIDEO)

Dy vëllezër në Shijak janë vënë në pranga pasi kishin përshtatur ambiente në banesën e tyre për kultivimin e kanabisit.

Gjatë operacionit policor antidrogë të koduar “Krahët e krimit ”, u zbuluan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba, prej ku u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Në pranga është vënë  një 43-vjeçar i shpallur në kërkim si dhe vëllai i tij, 46 vjeç.

Ndërkohë, bëhet po ashtu e ditur se gjatë operacionit, në një ambient me mur të dyfishtë, u gjet i fshehur një arsenal armësh, i përbërë nga 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan.

43-vjeçari i arrestuar rezulton person me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje. Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Krahët e krimit”, të zhvilluar më 24 janar 2023, pasi në bashkëpunim me vëllanë e tij, F. K., i arrestuar në flagrancë gjatë operacionit, kanë kultivuar bimët narkotike të gjetura gjatë operacionit dhe posedonin arsenalin e armëve që u gjet i fshehur.