Politika Begaj me homologun maqedonas në Pustec: Sfida jonë, të kemi mirëqenie për...

Begaj me homologun maqedonas në Pustec: Sfida jonë, të kemi mirëqenie për komunitetet tona

Presidenti Bajram Begaj dhe homologu i tij maqedonas Stevo Pendarovski kanë vizituar bashkinë Pustec, aty ku jeton komuniteti maqedonas.

Në deklaratën e dhënë për mediat, Pendarovski u shpreh se kjo ishte vizita e tij e parë në bashkinë e Pustecit. Ai u shpreh i kënaqur për kushtet e shkollës të cilën vizitoi bashkë me Begajn.

“Në këtë shkollë mëson edhe shkolla e mesme dhe ajo 9-vjeçare megjithëse numri i mëparshëm i nxënësve që kanë mësuar në këtë shkollë ka qenë shumë i madh tani është zvogëluar. E falenderojmë Republikën e Shqipërisë për të gjitha përpjekjet që bën për pakicat në këtë shtet.”

Nga ana tjetër, presidenti Begaj u shpreh se u zgjodh bashkia e Pustecit  për të treguar që marrëdhëniet e dy vendeve “janë marrëdhënie të dy vendeve mike, partnere të Nato-s që kanë rrugë të përbashkët për anëtarësimin në BE.”

Po ashtu, kreu i shtetit, ka komentuar edhe nismën Open Balkan e cila është aktualisht e “pezulluar”.

“Përfshihen të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor dhe lehtëson procedurat burokratike, lehtëson lëvizjen e mallrave dhe të njerëzve. Padyshim si çdo iniciativë tjetër rajonale janë të mira.”

Begaj shtoi se mbetet në dorë të vendimmarrësve ekzekutivë për të vendosur nëse nisma do të vijojë apo jo.